Udhëheqës të Bashkimit Evropian kritikuan vendimin e bllokut për t’iu mos ofruar datë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.
“Për mendimin tim, ky ka qenë gabim”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, në një seancë të Parlamentit Evropian të martën në Strasburg.
“Tani vetëm mund të shpresoj se udhëheqësit do të nxjerrin përfundimet e duhura kur të diskutojnë procesin e pranimit, para samitit në Zagreb, që do të mbahet në maj të vitit 2020”, tha Tusk.
Liderët e vendeve të BE-së nuk arritën të marrin një vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në një samit që u zhvillua javën e kaluar.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, thuhet se ka bllokuar vendimin, duke kërkuar fillimisht reformim të BE-së.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, tha të martën se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë pasur të drejtë t’i nisin negociatat me BE-në dhe se kanë bërë përpjekje të mëdha në këtë drejtim.
Juncker tha se moshapja e negociatave ishte gabim i rëndë, sepse i godet këto dy vende “në zemrat e tyre”.
“Është gabim i rëndë edhe për faktin se krjon përshtypjen se ju bëni premtime, nuk i realizoni ato dhe askush në botë nuk do të na respektojë”, tha Juncker.
Pas mungesës së vendimit pozitiv nga BE-ja, Maqedonia e Veriut shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.