Një shprehje e vjetër thotë “Natyra është e pamposhtur”. Por në një laborator në Universitetin e Nju Jorkut, shkencëtarët po përpiqen të kopjojnë një prej aktiviteteve bazë të natyrës, ndërtimin e proteinave. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Faith Lapidus sjell më shumë hollësi.
Kur flitet për proteinat, mendja të shkon menjëherë tek mishi. Por, duke patur në mendje biokiminë, proteinat janë shumë më komplekse. Enzimat, antitrupat, madje edhe muskujt e njeriut janë me bazë proteine. Është një sistem i mrekullueshëm, thotë kimisti Kent Kirshenbaum:
“Sa herë që mendojmë se mund të fitojmë karshi natyrës, ne gjendemi të përulur gjithmonë.”
Por, përpjekja vazhdon.
“Ne mund të rikrijojmë proteina natyrale ose molekula sintetike për të imituar format, strukturat dhe funksionet e proteinave natyrale”, thotë zoti Kirshenbaum.
Me mbështetje nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës, zoti Kirshenbaum dhe një ekip i Universitetit të Nju Jorkut po zhvillojnë metoda të reja për krijimin e proteinave sintetike në laborator. Ata shohin një të ardhme jo shumë të largët, kur do të mund të krijojnë proteina që nuk kanë ekzistuar më parë në natyrë dhe do t’i përdorin ato në shkallë industriale.
“Kemi krijuar mënyrën e qasjes për ndërtimin e këtyre molekulave në një mënyrë jashtëzakonisht të besueshme. Besojmë se nëse mund të projektojmë një molekulë, do të jemi në gjendje ta ndërtojmë atë”, thotë zoti Kirshenbaum.
Kjo do të sillte antibiotikë sintetikë që luftojnë infeksione të ndryshme të trupit, ilaçe të ndërtuara enkas për të trajtuar kancerin e avancuar të prostatës dhe enzima që do të shndërronin celulozën në lëndë djegëse.
Brenda qelizave njerëzore, fabrikat biokimike ndërtojnë proteinat bllok pas blloku – blloqe aminoacidesh. Në laboratorin e zotit Kirshenbaum, shkencëtarët kanë zhvilluar metoda që kanë të njëjtin funksion sikurse këto rruaza të vogla të futura në një shiringë.
“Rruazat ofrojnë një sipërfaqe të mirë, si dhe janë poroze, kështu që reaksionet kimike mund të zhvillohen në sipërfaqe dhe brenda rruazave”, thotë zoti Kirshenbaum.
Sfida e madhe qendron tek rikrijimi i proteinës sintetike në mënyrë që të zëvendësojë tërësisht atë natyrale. Nëse forma e molekulës ka vetëm pak ndryshim, nuk mund të funksionojë siç është projektuar.
Deri tani, ata kanë patur sukses në rikrijimin e proteinave tejet të vogla sintetike.
“Kjo është shumë e rëndësishme, kemi arritur në këtë prag. Duhet të ndërmarrim hapin e ardhshëm që jo vetëm të imitojmë njësitë e intervaleve të shkurtëra, por të imitojmë format komplekse tre-dimensionale të disa prej këtyre strukturave masive të proteinave. Pas kësaj, do të hapet një botë e gjerë përdorimesh për ne” , thotë zoti Kirshenbaum.
Kjo mund të çojë në ndërtimin e materialeve të avancuara, lëndëve djegëse më të pastra dhe efikase, ilaçeve më të mira dhe trajtimit shëndetësor më efikas.