Ballina Aktualitet Shkup, Kryeministri Zaev paralajmëron zgjedhje të parakohshme

Shkup, Kryeministri Zaev paralajmëron zgjedhje të parakohshme

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev pas një dite jo të plotë vendosi të flasë për dështimin e marrjes së datës në Këshillin Evropian dje në Bruksel. Ai nuk fshehu emocionet ndërsa tha se vendit të tij iu bë një padrejtësi e madhe. “Ne tha ai, i realizuam të gjitha zotimet, por Bashkimi Evropian nuk reflektoi ndaj premtimeve të bëra. Bëmë reformat, zgjidhëm problemet me fqinjët ndërsa BE-ja nuk iu opërmbajt fjalës së dhënë”, u shpreh zoti Zaev.

“Ajo që Bashkimi Evropian nuk arriti të marrë vendim për hapjen e bisedimeve me ne, është një gabim historik dhe këtë e vërtetuan të gjithë drejtuesit evropianë”, tha Zaev, duke theksuar zhgënjimin dhe zemërimin e madh.

Ai tha më tej se vendimi i BE-së është bërë për shkak të problemeve të brendshme të pazgjidhura, të cilat Maqedonia e Veriut nuk mund t’i ndryshojë.

Ai megjithatë ndjen përgjegjësi para qytetarëve dhe paralajmëron:

“Drejtohem para jush dhe qartazi porosis: Ëndrra evropiane për maqedonasit, shqiptarët, serbët, vllehët, turqit, romët, boshnjakët e të tjerët që jetojnë në vendin tonë – nuk do të rrënohet”.

“Prandaj propozoj organizimin e shpejtë të zhgjedhjeve të parakohëshme. Zgjedhje, sa më shpejtë që të mundet”, u shpreh kryeministri Zaev, por pa dhënë ndonjë datë të mundëshme se kur do të ndodhte kjo.

Këtë propozim ai do ta ngrejë në takimin e nesërm që ka thirrë presidenti Pendarovski me drejtuesit e partive të pushtetit dhe opozitës. Zaev tha se qytetarët e kanë në dorë vendimin: “për të shkuar në rrugën e drejtë të vlerave demkratike dhe evropiane, të zhvillimit dhe mirëqenies, apo në rrugën e errët të izolimit, nacionalizmit, ndarjeve dhe konflikteve, që është rruga e cila të kthen prapa”.

Opozita, si maqedoonase edhe ajo shqiptare me muaj të tërë kanë kërkuar zgjedhje të parakohëshme, ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim nuk e ka mbështetur këtë ide, për shkak mundësisë së regresit nga reformat dhe proceset integruese, siç janë shprehur shpesh zyrtarë të saj.

Edhe një pjesë e analistëve vlerësojnë se zgjedhjet e parakohëshme do të ndalonin përparimin e reformave të nisura dhe do t’i merrnin Maqedonisë së Veriut një kohë të çmuar për arritjen e standardeve të kërkuara evropiane.