Ballina Sport UEFA merr vendim të rëndësishëm për Kosovën dhe Rusinë

UEFA merr vendim të rëndësishëm për Kosovën dhe Rusinë

UEFA ka vendosur që të mos i lejojë të luhen takimet ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Kosovës dhe Rusisë, deri në një vendim të radhës.

Vendimi është komunikuar sot nga Paneli i Emergjencave të UEFA-s përmes një njoftimi të publikuar në uebfaqen zyrtare të UEFA-s.

“Duke marrë parasysh rreziqet e sigurisë që ndërlidhen në ndeshjet midis ekipeve nga Rusia dhe Kosova, Paneli vendosi që të dy ekipet të mos përballen më kundër njëra-tjetrës në asnjë garë të ardhshme të UEFA-s deri në njoftimin e radhës”, thuhet në komunikatë.

Nga formulimi i komunikatës së UEFA-s nënkuptohet se rregullore vlen edhe për Kampionatin Evropian 2020 që mbahet verën e ardhshme. Rusia tashmë është kualifikuar për këtë turne. Për më tepër, Euro 2020 do të presë tre ndeshje në grupe dhe një çerekfinale në Shën Petersburg të Rusisë.

Kosova po ashtu ka mundësi të mira për t’u kualifikuar në këtë garë.

Ekipet e futbollit të femrave të të dy vendeve janë tashmë në një grup kualifikues për EURO 2021. Të dyja ndeshjet e parapara të luhen gjatë muajve të ardhshme në Kosovë, respektivisht Rusi, do të zhvillohen në terren neutral.