Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed u shpall fitues i çmimit Nobel për paqe për vitin 2019.
Komiteti norvegjez i Nobelit, tha se ky çmim ju nda kryeministri Abiy Ahmed Ali për shkak të përpjekjeve të tij për paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe posaçërisht për “nismën e tij vendimtare për zgjidhjen e konfliktit kufitar me Eritrenë fqinje”.
Abiy Ahmed 43 vjeçar është kryeministri më i ri në Afrikë. Çmimi prej 900 mijë koronash norvegjeze, afërsisht 900 mijë dollarë amerikan, do t’i dorëzohet atij në Oslo më 10 dhjetor.
Zyra e zotit Abiy e citoi atë të ketë thënë se “jemi krenar si komb” për çmimin e së premtes.
Çmimi Nobel është ndarë gjatë javës edhe për kategori të tjera dhe të enjten Akademia Suedeze nxiti reagime të ashpra me vendimin e saj që çmimin Nobel për letërsi për vitin 2019 t’ia ndajë autorit kundërthënës austriak Peter Handke, i cili qe bërë i njohur me qëndrimet e tij kundër fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe në vitin 1999, që u dhanë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.
Ai kishte mbajtur fjalim në mars të vitit 2006 në funeralin e ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.
Çmimi Nobel mori emrin nga zbuluesi i dinamitit, Alfred Nobel, që ishte edhe themelues i tij dhe është ndarë që nga viti 1901 për arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe, sipas amanetit të tij.