Në deklaratën e parë për zgjedhjet në Kosovë, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara presin që udhëheqja e re të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.
Shtetet e Bashkuara tha zëdhënësi, urojnë popullin e Kosovës për përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare.
“Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë zëdhënësi në deklaratën për Zërin e Amerikës.
Ambasadori amerikan në Kosovë takon Albin Kurtin
Në Kosovë, ndërkaq ambasadori amerikan, Philip Kosnett u takua me kandidatin për kryeministër të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit doli e para në zgjedhjet e mbajtura dy ditë më parë.
Në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosje thuhet se në takim është diskutuar për “mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për luftën kundër korrupsionit, ekonominë dhe për përparimin në dialogun me Serbinë,”.
Komunikata citon zotin Kurti të ketë thënë se “se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me Josep Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj”, citohet të ketë thënë zoti Kurti.
Ambasadori Kosnett takoi të martën edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.