Vala e prurjeve të reja nga deti arriti kulmin në muajin shtator. Mbi 10,200 azilkërkues, shumica familje nga Afganistani dhe Siria, mbërritën në ishujt grekë. Kjo ka qenë shifra më e lartë që prej tre vitesh.

Agjensia e OKB-së për refugjatët thotë se kjo ka përkeqësuar kushtet në ishujt Lesvos, Samos dhe Kos, ku ndodhen rreth 30 mijë azilkërkues. Të dielën, një zjarr shpërtheu në qendrën Moira në ishullin Lesvos, duke marrë jetën e një gruaje dhe duke rritur tensionet.

Pas zjarrit, rezidentët e inatosur u përplasën fizikisht me policinë në këtë qendër ku ndodhen rreth 12600 azilkërkues – mbi 5-fishin e kapacitetit të saj. Zëdhënësja e UNHCR-së, Liz Throssell, thotë se kushte të ngjashme të mbipopullimit dhe në përkeqësim ekzistojnë edhe në ishujt e tjerë.

“Mbajtja e njerëzve në këta ishuj, me kushte të pamjaftueshme dhe në pasiguri, është çnjerëzore dhe i duhet dhënë fund. Qeveria greke thotë se e ka prioritet lehtësimin e presionit ndaj ishujve, si dhe mbrojtjen e fëmijëve të pashoqëruar. Ne e mirëpresim këtë gjë, por duhen hapa urgjente. U bëjmë thirrje autoriteteve greke të përshpejtojnë planet për të transferuar të paktën 5 mijë azilkërkues, të cilëve u është dhënë tashmë autorizimi për të vazhduar procedurat e tyre të azilit në kontinent”, thotë zëdhënësja e UNHCR-së, Liz Throssell.

Mes azilkërkuesve janë edhe mbi 4400 fëmijë të pashoqëruar. Zonja Throssell thotë se gjendja e tyre është veçanërisht shqetësuese. Ajo vë në dukje se në çdo katër prej tyre, vetëm një fëmijë ndodhet në strehëzë të përshtatshme për moshën. Zonja Throssell thotë se fëmijët jetojnë në kushte jashtëzakonisht të rrezikshme dhe se rrezikohen të abuzohen.

“Rreth 500 fëmijë janë të strehuar së bashku me të rritur jo të afërm në një tendë të madhe në Moria. Në ishullin Samos, disa vajza të pashoqëruara flenë me radhë në një kontenier të vogël, ndërsa fëmijëve të tjerë u duhet të flenë në çatitë e kontenierëve”, thotë zonja Throssell.

UNHCR-ja po u bën thirrje shteteve evropiane t’i pranojnë këta fëmijë dhe t’u ofrojnë atyre sa më shpejt një akomodim të sigurtë dhe të njerëzishëm. Organizata gjithashtu thotë se BE-ja duhet të përshpejtojë transferimin e fëmijëve që mund t’iu bashkohen familjeve të tyre dhe të mos t’iu duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në kushtet josanitare dhe të rrezikshme të mjediseve të mbipopulluara.