Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se njohja formale e Kosovës nga Selia e Shenjtë do të kurorëzonte gjithë angazhimin e saj për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
Ai i bëri komentet gjatë një takimi me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin.
“Populli i Kosovës gjithmonë është udhëhequr nga vlerat e Shën Terezës, vlera të tolerancës, paqes dhe bashkëjetesës. Jemi mirënjohës për mbështetjen që Selia e Shenjtë i ka dhënë popullit të Kosovës. Krejt çfarë ka mbetur është njoha nga Vatikani”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Në një komunikatë nga zyra e presidentit Thaçi, thuhet se ai e ka informuar sekretarin Parolin, për harmoninë fetare në Kosovë, për bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve si vlera mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
Nga ana tjetër, sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin ka thënë se Selia e Shenjtë është e përkushtuar për paqen, tolerancën dhe stabilitetin në Kosovë.
Takimi është zhvilluar në Nju Jork ku po i mban punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Më herët gjatë ditës, presidenti Thaçi takoi edhe kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin ka biseduar për forcimin e raporteve dypalëshe.
Greqia është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.