Në këtë shkrim, ku autori apo autorja, mbetët i pa publikuar thuhet se “Kompanitë investuese që janë duke ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese nga Burimet e Rinovueshme në Republikën e Kosovës, përkundër vështirësive të mëdha që janë duke ballafaquar në terrene të vështira, edhe përkundër që janë të pajisura me të gjitha lejet dhe pëlqimet e nevojshme të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës, kohëve të fundi apo tash e një vit në mënyrë të vazhdueshme janë bërë prej e qarqeve të ndryshme të cilat të vetmin qëllim e kanë që ti pengojnë investitorët vendor dhe të jashtëm në realizimin e projekteve të gjelbra”.
Autori i këtij shkrimi, pos përshkrimit të kryerjes së obligimeve ligjore të kompanive investuese në prodhim të energjisë së ripërtërishme, ka përshkruar edhe pengesat me të cilat po ballafaqohen këta investitor. Bile autori i këtij teksti lavdëron kompanitë që sipas tij, po veprojnë në pajtim me legjislacionin në fuqi, pa bërë asgjë dëm në mjedis. “Kompanitë investuese vendore dhe të jashtme janë duke vepruar dhe veprojnë në pajtim me tërë legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë, askush deri më tani nuk është dëmtuar nga realizimi i këtyre projekteve, përkundrazi kanë përfituar dhe do të përfitojnë nga realizimi I këtyre projekteve”.
Gjithnjë sipas këtij shkrimi, disa OJQ, jo vetëm për që po kundërshtojnë investimet e kësaj natyre, por janë edhe të financuara nga Serbia, ngase po mbrojnë interesat e këtij shteti për shitje të energjisë në Kosovë.
Njëra nga organizatat jo qeveritare që kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve është edhe Shoqata e Intelektualëve të Pavarur me seli në Deçan. Kundërshtime të hapura kishim dhe do kemi, përderisa nuk ka përfillje të konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm, ku hyjnë edhe tri kompetentët kryesore siç janë: ekonomike, sociale dhe mjedisore. Personalisht, si drejtor i Shoqatës, nuk jemi kundër shfrytëzimit të resurseve natyrore për zhvillim ekonomik. Por, ishim dhe jemi kundër mënyrës së investimeve që janë bërë në Grykën e Deçanit nga KELKOS GROUP, ku këto investime ishin shkatërruese për natyrën dhe aspak të leverdishme për qytetarët, pos për manastirin e Deçanit.
Deçanasit, në vazhdimësi janë ankuar dhe po ankohen për mungesë të ujit për pije, sikurse që kishte raste kur uji ishte i pa përdorshëm, ngase ujësjellësi ishte dëmtuar gjatë kryerjes së punimeve. Pos kësaj duhet të përmendim faktin se gjatë sezonës verore, deçanasit nuk kanë mundësi të shijojnë freskinë e ujit të Lumëbardhit dhe bukuritë natyrore që ofron “Gryka e Deçanit”, ngase mbi 10 km sasia më e madhe e ujit, futet nëpër tuba që dërgojnë për te “Hidrocentrali i Manastirit”, e më pas kjo sasi e ujit kalon nëpër pronat e këtij manastiri, ku disa prej këtyre pronave i ka uzurpuar me vendime të dhunshme politike. Futja e ujit nëpër tuba (gypa), duke lënë shtratin e lumit pa “asnjë pikë uji”, e rrezikon biodiversitetin natyror (gjatë verës rrezikohet minimumi biologjik për peshqit dhe shtazët ujore), paraqet krim mjedisor, e që është e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Duhet përmendur edhe një fakt ligjor kur kemi të bëjmë me rastin e ndërtimit të këtyre hidrocentraleve në Grykën e Deçanit, që nënkupton se ky investim është kryekëput për përfitime të Manastirit dhe grupeve kriminale, e jo të deçanasve. Me investimet e bëra është bërë shkelje e Ligjit për Zonat e veçanta të mbrojtura, Nr. 03/L-039, i vitit 2008, përkatësisht Neni 5 i këtij Ligji. (Aktivitetet e Ndaluara brenda Zonave të Veçanta të Mbrojtura: a) ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe b) ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit).
Kundërshtimet që bëhen, nuk kanë të bëjnë për investimet në energjinë e ripërtërishme, por kundër mënyrës së investimit dhe grupeve me interes të përftimit material. Hidrocentralet në Deçan, nuk kanë përmbush obligimet ligjore që kërkohen, gjë që nuk iu është dhënë as leje mjedisore, çka ka nxit edhe reagime të shumta. Kundër mënyrës së investimeve për ngritje të hidrocentraleve ka dal edhe kryetari i Pejës dhe Junikut, gjë që kanë penguar edhe investimet në Grykën e Rugovës dhe të Jasiqit.
Për investimet në Deçan dhe ndikimin negativ në mjedis, është duke e marr edhe Prokuroria e shtetit, çka mbesim me shpresën se drejtësia do tregon se kemi të drejtë në kundërshtimet tona, kundër operimet të hidrocentraleve në Deçan. Autori apo autorja në fjalë, duhet të studion mirë natyrën e investimeve dhe ndikimet negative të mënyrës së ndërtimit të hidrocentraleve, e jo të del në krah të krimit dhe shkatërrimit të bukurive natyrore të Bjeshkëve të Nemuna.