Me 19 shtator 2019, Përfaqësuesi i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer, zhvilloi një intervistë me korrespondenten e “Zërit të Amerikës”, pranë Departamentit të Shtetit, Nike Ching, në të cilën, ai foli mbi përparësitë e politikës së SHBA-së në rajonin tonë, si dhe pritshmëritë nga secili vend i kësaj zone.
Duke folur për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë dhe pritshmëritë për qeverinë e re që do të dalë prej tyre, Palmeri theksoi: “Ne do ta bëjmë të qartë pritshmërinë tonë që qeveria e ardhshme të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat, të cilat janë pengese për rifillimin e procesit të dailogut, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar, si dhe e gatshme të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve”. Ritheksoi se hapi i parë për rifillimin e dialogot duhet të jetë pezullimi i tarifës 100% për mallrat serbe. Ndërsa, nga Beogradi, ai tha se pret “pezullimin e mundshëm të fushatës për bllokimin e njohjeve” dhe, pas kësaj, kthimin e dy palëve në tryezën e bisedimeve.
Kaq. Për Kosovën, intervista e Palmerit fillon e mbaron me përparësinë që duhet të ketë dialogu Prishtinë-Beograd.
Në gjykimin tim, bisedimet me Serbinë janë vetëm një ndër çështjet, me të cilat do të ballafaqohet qeveria e ardhshme e Kosovës. Por jo kryesorja. Si diplomat me përvojë dhe që i njeh mirë zhvillimet në vend, Metju Palmeri, e di që në Kosovë janë të pranishme problematika të tjera, shumë më të mprehta dhe që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme nga qeveria e re. As në platformat zgjedhore të subjekteve politike, as në anketat e opinionit publik, bisedimet nuk figurojnë në pesëshen e parë të përparësive që duhet të ketë qeveria e ardhshme.
Unë kam pritur që Përfaqësuesi i Posaçëm amerikan të ishte më i vëmendshëm ndaj realitetit kosovar dhe ndjeshmërive që krijon ky realitet në faktorët politikë dhe opinionin publik. Mendoj se jo bisedimet me Serbinë, por shkapja e shtetit duhet të jetë përparësia numër një e qeverisë së re. Pastaj, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në fushën e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë, me qëllim që Kosova të bëhet një vend ku njerëzit duan të jetojnë, jo ku secili kërkon rrugë të ligjshme dhe të paligjshme, për ta braktisur atë. Sepse çfarë kuptimi kanë bisedimet me Serbinë dhe nënshkrimi i marrëveshjes më të, në kushtet e një Kosove të pabanueshme? Shkaku i kësaj situate të rëndë nuk është mungesa e marrëveshjes me Beogradin. Natyrisht ajo ka ndikim, por janë faktorë të tjerë, kryesisht të brendshëm , që e kanë degdisur Kosovën në këtë gjendje.
Unë kam pritur që Palmeri të jetë më i drejtë dhe më i ekuilibruar në kërkesat dhe presionin e ushtruar ndaj Kosovës dhe Serbisë. Siç u tha më lart, në këtë intervistë ai i kërkoi Kosovës një hap të shpejtë dhe konkret-pezullimin e tarifës për mallrat serbe. Si Ndihmës Zëvendëssekretar Shteti, që ka mbuluar Ballkanin Perëndimor, Metju Palmerit duhet t`i kujtohet që bisedimet Kosovë-Serbi patën ngecur para vendosjes së tarifës, pra nuk është ajo shkaku i vërtetë i bllokimit të tyre. Por për tjetër gjë e kam fjalën. Pezullimi i tarifës do të ishte një hap i kontrollueshëm dhe lehtësisht i verifikueshëm. Për realizimin e tij kërkohet një vendim qeverie. Po çfarë i kërkoi Palmeri Beogradit?-“Pezullimin e mundshëm të fushatës për bllokimin e njohjeve” të Kosovës! Togfjalëshi që tërheq vëmendjen është “pezullim i munshëm”. Që do të thotë se për Beogradin ky akt është fakultativ, mund ta bëjë, ose jo. Ndërsa hapi i Kosovës konceptohet si i detyrueshëm. Më shqetësues është fakti që “vendimi” i Beogradit do të jetë i pakontrollueshëm dhe i paverifikueshëm. Jam i bindur që, edhe po ta heqë Kosova tarifën, Serbia do ta vazhdojë lobimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës, ashtu siç ka bërë shumë kohë para vendosjes së kësaj mase. Beogradi nuk është aq naiv, sa që, në rast të ndonjë çnjohjeje ta pranojë përgjegjësinë e vet. “Argumentin” e ka të lehtë: e drejtë sovrane e shtetit përkatës. Në këtë kontekst, a ka menduar Përfaqësuesi i Posaçëm amerikan për mekanizmin e kontrollit të aktit të “pezullimit të mundshëm” të politikës së Serbisë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës?
Unë kam pritur nga Metju Palmeri që të mos jetë kaq i nxituar, sepse realizimi i përparësisë, siç e klasifikon ai përfundimin e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, kërkon njëfarë kohe, të cilën, dinamikat e zhvillimeve politike në këto dy vende nuk e ofrojnë. Nuk ka asnjë garanci që formimi i qeverisë së Kosovës, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, do të bëhet me një të rënë të lapsit. Ndërkohë, zgjedhjet parlamentare në Serbi janë krejt afër, pas gjashtë muajsh. Nuk mendoj që Presidenti Vuçiç do të jetë i gatshëm për “lëshime dhe sakrifica” në prag të këtyre zgjedhjeve. Përkundrazi, ai do të përpiqet ta ngrejë sa më lart stekën për t`u shitur sa më shtrenjt politikisht. A është në interes shtetëror të Kosovës përfshirja e saj në bisedime intensive me Serbinë në këtë situatë politike kaq të rrëshqitshme? Përgjigjja ime është, jo.
Sa i takon tezës së shkëmbimit të territoreve, midis Kosovës dhe Serbisë, kam pritur që pas spekulimeve dhe zhurmës së viti të fundit, Palmeri të distancohet prej dhe deklaratave dykuptimëshe rreth kësaj çështjeje, të cilave, në ndonjë rast, nuk u ka shpëtuar as ai vetë. Profesori i njohur amerikan, Daniel Server, është i mendimit që SHBA synojnë që t`i japin Beogradit “diçka”. Edhe kolegu i tij, profesori i Universitetit Xhon Hopkins”, Eduard Xhozef, ka të njëjtin shqetësim. Ekziston frika se kjo “diçka” mund të nënkuptojë shpërblimin e e Serbisë me pjesë të territorit të Kosovës, pra ndarjen e saj. Iluzioni i afrimit të Beogradit me Uashingtonin dhe largimin e tij nga Moska, duke tjetërsuar veriun e Kosovës, në favor të Serbisë, është krejtësisht i gabuar. Në rast se ai kthehet në politikë shtetërore, atëhere ajo s`mund të jetë tjetër veçse politikë destruktive dhe destabilizuese në rajonin tonë dhe më gjerë.
Pyetjes së gazetares mbi mendimin e tij rreth kritikave ndaj Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si autokrat, Metju Palmeri iu shmang. Kam pritur që si përfaqësues i një vendi e kombi të madh, që ne shqiptarët e konsiderojme si të pazëvendësueshëm dhe model të demokracisë, Palmeri të ishte më kritik dhe vetëkritik për situatën e rëndë politke, kushtetuese, parlamentare dhe institucionale të krijuar në Shqipëri, si pasojë e votimeve njëpartiake të 30 qershorit, kur demokracia u mor peng dhe ekuilibri i pushteteve u rrënua. Them edhe vetkritik, sepse duke marrë në konsideratë vetëm zërin e pozitës, duke nënvlerësuar apo injoruar zërin e aktorëve të tjerë që, siç na mëson vendi të cilin ai e përfaqëson, janë shumë të rëndësishëm për një demokraci funksionuese, si opozita, Institucioni i Presidentit, shoqëria civile, etj, Palmeri e “legjitimoi” ndërkombëtarisht kokëfortësinë e Ramës, për të zhvilluar votime fiktive, pa kundërshtarë.
Dakord që demokracia është procedurë. Por jo që, për hir të procedurës, të goditet themeli i demokracisë, pluralizmi dhe liria e zgjedhjes midis shumë kandidaturave. Dakord edhe që stabiliteti i vendit ka rëndësi, por jo që për hir të tij, të goditet vetë demokracia, sepse, në fund të fundit, rrezikojmë të mbetemi pa të dyja, pa stabilitet dhe pa demokraci.
Lidhur me aktivizimin e aktorëve të tretë në Ballkanin Perëndimor, me të drejtë, Palmeri foli për “një lloj qasjeje grabitqare” të Kinës, në kuadrin e megaprojektit të Pekinit, “Një brez, një rrugë”. Në këtë kontekst ai iu bëri thirrje vendeve të rajonit tonë që në marrëdhënie me të tretët, në plan të parë, të vendosin sigurinë, jo anën financiare.
Por nga një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, siç është Palmeri, kam pritur që, kur përmendet kërcënimi kinez në Ballkanin Perëndimor, të mos anashkalohet kërcënimi rus. Për interesat amerikane, si kërcënim kryesor mund të konsiderohet ai kinez. Megjithatë, në gjykimin tim, kërcënimi kryesor i jashtëm ndaj Ballkanit Perëndimor, në fazën e tanishme dhe në perspektivë të afërt, nuk është Pekini por Moska. Për Kinën nuk përbën problem integrimi i vendeve tona në strukturat euroatlantike, ndërsa Rusia është qartësisht kundër. Të paktën, deri tani, nuk rezulton që Pekini të ketë ndërmarrë ndonjë hap të drejtpërdrejtë që minon aspiratat tona në këtë drejtim, ndërkohë që është zbuluar që Moska kishte gisht në përpjekjet për grusht shteti në Mal të Zi, në tetor 2016, pa folur për “luftën e mprehtë” që ajo zhvillon, pothuaj, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për të penguar, sidomos, anëtarësimin e tyre në NATO. Kur bëhet fjalë për Kosovën, qëndrimi i hapur i Kremlinit kundër pavarësisë së saj, është i njohur. Jo vetëm kaq, por duket që Rusia i fryn edhe zjarrit për ndarjen e Kosovës. Ambasadori i ri rus në Beograd, Aleksandër Harçenko, ndryshe nga kolegët e vet gjermanë, britanikë etj, këto ditë, deklaroi se “nuk mund të jem dakord që ndarja e Kosovës krijon precedent, ndërsa e ish-Jugosllavisë dhe e vetë Serbisë jo”, duke harruar se krijimi i shteteve të reja në hapësirën ish- jugosllave, përfshirë Kosovën, ishte pasojë e shpërbërjes me dhunë të asaj federate.
Caktimin e Metju Palmerit, si Përfaqësues të Posaçëm të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, e kam mirëpritur dhe e vlerësoj si shenjë të synimit amerikan për t`u marrë pak më shumë se deri më tani me rajonin tonë. Por, ndryshe nga disa politikanë në Prishtinë, si ish- Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, që e konsideron Palmerin “mik të madh të Kosovës, që do të vazhdojë të na japë mbështetje në të gjitha nivelet”, unë përpiqem që , pavarësisht postit dhe vendit që përfaqëson, deklaratat, veprimet dhe aktivitetin e tij t`ia nënshtroj një analize kritike, në raport me interesat tona kombëtare dhe shtetërore dhe, vetëm pas kësaj, të dal në përfundimin, nëse ai vërtet radhitet midis miqve tanë të mëdhenj.
Para pak kohësh, Palmeri ka shkruar se “Kosova nuk ka mik më të mirë se SHBA”. Unë do të shtoja se as SHBA nuk kanë miq më të mirë dhe aleatë më të sigurtë se Kosova, Shqipëria dhe, përgjithësisht, shqiptarët, në mënyrë të veçantë, për të kundështuar me vendosmëri, jo me fjalë, strategjitë e aktorëve të tretë për rritjen e ndikimit dhe të pranisë së tyre në rajonin tonë.
Pritshmëritë e mia nga Metju Palmeri, në thelb, janë pritshmëri nga SHBA. Natyrisht, nuk pres që administrata e sotme, e kthyer me fytyrë nga vetja, t`i përkushtohet Ballkanit, si në kapërcyellin e shekullit të XX në të XXI, sepse jetojmë në kohë tjetër dhe me përparësi të tjera. Gjithsesi, unë pres që ajo t`u kushtojë pak më shumë vëmendje, jo vetëm aspekteve të sigurisë, por edhe forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendet e Ballkanit Perëndimor, përndryshe, integrimi i tyre në strukturat euro-atlantike, rrezikon të mbetet thjesht një aspiratë.