Rikthimi i memorjes për heronjtë është domosdoshmëri. Me nderimin tonë u japim atyre pavdeksinë dhe i shëndrrojmë në modele për ta përsosur shoqërinë tonë. Këtë duhet të bëjmë ashtu si edhe kombet e qytetruara, që emri dhe vepra e tyre të shëndrrohen në shembuj frymëzimi për gjithë shoqërinë.

Është detyrë e çdo shoqërie të nxisë, të freskojë e të forcojë memorjen historike. Momentet e veçanta historike dhe njerëzit e sakrifikuar në këtë udhëtim tonin, duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për të gjithë brezat.

Në qershorin e këtij viti (2019) është përvjetori i lindjes së dëshmorit të Atë-Dheut, heroit të Policisë, Azem Ali Meshi. Gjej rastin të falenderoj me mirënjohje gazetarin e aktivistin e papërtuar, Z. Ramiz  Lushaj, i cili më bëri ftesë dhe u bë shkak që edhe unë, si shumë të tjerë, të jem pjesë e përkujtimit të këtij Dëshmori të Policisë së Shtetit, Dëshmorit të Atdheut.

Unë se kam njohur Azemin. Nuk kam punuar me Azemin, por kam njohur jetën e tij, aktivitetin e tij, sakrificën sublime që ai bëri duke ndërprerë jetën e tij që të vazhdonim ne – jetët tona.

Kujtimi i emrit e veprës së heronjëve është sublim, respektimi i emrit të tyre është detyrë, çuarja para e ëndrrës së tyre është mision.

Policia e Shtetit është institucioni që këto 30 vite e ka paguar më shtrejtë se asnjë institucion tjetër koston e tranzicionit të vështirë. Janë mbi 260 punonjës policie të vrarë nga dora kriminale. Janë mbi 260 familje që vuajnë rëndë këtë pasojë të pariparueshme. Familje e fëmijë që vuajnë dhimbjen dhe përjetojnë jetën e vështirë pa njeriun e dashur që e thënë drejtë, shkrinë jetën e tyre për secilin nga ne që konsumojmë sigurinë e vendit çdo ditë.

Në vitet e vështira për Policinë e Shtetit e, pikërisht në vitin 1999, Dëshmori i Policisë Azem Meshi dha jetën në luftë me bandat kriminale në rrethinat e Tiranës, pikërisht në Yzberisht. Asokohe kjo zonë ka qenë tërësisht në duart e bandave që mbizotëronin atë territor. Djali i ri nga zona e Hasit ishte në përmbushje të misionit të tij. Ai vinte nga Kosturi i Rrafshinës së Hasit, nga ajo zonë e hijshme e Alpeve Shqiptare, vinte nga një familje patriote në dhjetëra dekada, por që kishte të freskët edhe persekutimin e egër komunist. Viti ’90 i krijoi mundësinë Azemit të shkollohej e më pas të punonte në strukturat e Policisë së Shtetit, e cila nuk ishte më një armë në duart e Partisë-Shtet, por një shërbim në ndihmë e në mbrojtje të qytetarëve. Me këtë moto, me përkushtimin që të jep Liria dhe Demokracia ai u flijua në të mirë të shoqërisë shqiptare.

Vite më vonë kam njohur e punuar me vëllain e Azemit, Kryekomisar Ahmet Meshin, e kështu kam arritur të mësoj më shumë se për një hero, kam mësuar më shumë detaje, të cilat nuk janë thënë e as shkruar, por që portretizojnë më së miri shpirtin e njerëzve të kësaj Familje të Madhe të ushqyer me edukatën e traditës së tyre, me historinë e  rezistencës, me bujarinë e pamáatë, me trimërinë e qëndresën për kauzat e drejta që duhen mbrojtur deri dhe me jetë.

Për heronjtë   do preferoja që dita e kujtesës për tá të jetë përvjetori i lindjes, ky përkujtim do jetë më i bukur, më i përshtatshëm për të skalitur në kujtesën tonë atë çka s’duhet ta shuaj kurrsesi as koha, as vitet e as shekujt. Ata, si meteor, duhet të qëndrojnë në memorjen tonë e të jenë shembull frymëzimi për ta bërë vendin tonë më të mirë, pronën tonë më të garantuar e jetën tonë më të sigurtë.

Një libër për një hero është shërbimi më i mirë që i bëhet kujtimit të tij. Libri është monumenti më i bukur i derdhur në germa e fjalë që do të rrojnë brez pas brezi, do lexohen nga pasardhësit e kujtimi do jetë i freskët përgjithmonë. E përfshirë në libër memorja e shumë personave e bën këtë kujtim më të gjërë, i jep një dimension më të plotë, krijohet një buqetë e bukur e ndjenjave e përjetimeve të disa bashkëkohësve të Azemit. Një autor i vetëm gjithsesi do ishte subjektiv dhe nuk do kishte kurrë hapësirën e dimensionin e shumë autorëve që gjithsecili hedh përjetimet e ndjesitë e tij në lidhje me rrethanat e njohjes me Dëshmorin e Atdheut, Azem Meshi, Dëshmor i Policisë së Shtetit.

Në fillim dhe në fund, mbetet fjala. Kjo referencë biblike është shumë domethënëse edhe në këtë rast kur gjejmë një mënyrë për të përkujtuar Azemin. Ai ka ikur në orjentin e përjetshëm e ne na takon ta themi fjalën për të, atë fjalë që ai nuk e tha dot pasi jeta e tij u ndërpre në mënyrë të beft’, të pabesë, në mënyrë mizore, bash në kulmin e moshës së tij të re. Ai ishte me uniformën e shejtë të Policisë kur mbi trupin e tij u derdhën plumba të pabesë nga banditë kriminelë. Nuk dinë askush se ç’fjalë të fundit do të na linte Azemi, e pikërisht për t’i dhënë zë gjithmonë fjalës së tij, ne të gjithë, duhet ta kujtojmë me nderim e respekt, ta vlerësojmë lart heroizmin e sakrificën e tij, të shkruajmë e të këndojmë këngë për të. E kjo brez pas brezi do t’i jap zë fjalës së tij, mesazhit të tij, kushtrimit të tij për një vend më të mirë, një Shqipëri më të sigurtë.

Duke qenë se shumë vite të jetës time ja kushtova Policisë, kjo më obligon më së shumti të nxisë e të stimuloj, të jemë pjesë e sa më shumë aktiviteteve në shërbim të kujtesës për të Rënët e Policisë. Disa prej tyre i kam njohur nga afër dhe kemi ç’të themi për familjarët e të afërmit e tyre, për kolegët aktiv e brezat e ardhshëm të Policisë. Një Muze i Kujtesës së të Rënëve të Policisë i mungon sot institucionit të Policisë së Shtetit, por në vitet që do të vijnë duhet të synojmë për tá patur një të tillë. Në parqet e të gjitha qyteteve dhe fshatrave mund të gjendet një vend për monumentet e të Rënëve të Policisë, Dëshmorë të Atdheut. Në bibliotekat e çdo komisariati e stacioni policor të kemi librat dhe albumet e këtyre heronjëve që jetën e tyre e vendosën në nderim të misionit të tyre. Në shkolla e ambjente publike mund të mundësojmë stenda përkujtimore për t’i patur në çdo kohë në vëmendje e në kujtesën tone, që fatkeqësisht e kaluara nuk memorizohet siç duhet.

Çdo vend në botë ka heronjtë e vet. Edhe vendi ynë. Ata vendosen në piedestal dhe gjithmonë nderohen e kujtohen me respekt për sakrificën e tyre sublime. Ata janë shembull frymëzimi për ta bërë Atdheun më të mirë, më vital, më të begatë dhe më të sigurtë. Nuk janë të pakët edhe Heronjtë e Policisë. Janë tashmë me qindra. Nuk janë heronjë lufte, janë heronjtë e paqes, gardianët e qetësisë tonë kolektive. Punonjës këta që lidhën besën me ligjin në shërbim të njerzëve të thjeshtë deri në sakrificën sublime. Fatkeqësisht, në mënyrën më të shëmtuar, herë-herë po e sfumojmë kujtesën pikërisht për ata që e ndërprenë tragjikisht jetën e tyre që ne të tjerët të vazhdojmë jetën e sigurtë. Shekspiri ka thënë se  lëvdimi i asaj çka kemi humbur e bën përkujtimin të shtrejtë. Ndaj me këto rradhë kujtojmë Azem Meshin e qindra heronjë të policisë për t’ju thënë që çdo gjë që bëjmë ne është shumë pak në krahasim me atë çka bënë ata për vendin e shoqërinë.

Kujtesë, respekt e drejtësi për të rënët e policisë. Për disa prej tyre drejtësia nuk është vendosur. Kjo është e pafalshme, e patolerueshme për institucionet ligjzbatuese të Shtetit dhe të Drejtësisë. Filozofi francez Blaise Paskal, ka thënë: “Drejtësia, pa forcë, është e pafuqishme; forca pa drejtësi, është tirani. Pra, forca dhe drejtësia duhen vënë bashkë, në mënyrë që gjithçka që është e fortë të bëhet drejtësisht dhe gjithçka që është e drejtë të kryhet fort”. Le të përpiqemi sa të mundemi t’i përjetësojmë jetët dhe veprat e dëshmorëve.

I përjetshëm qoftë emri dhe vepra e dëshmorit të Atdheut, Azem Meshi, dhe të gjithë Dëshmorëve të Policisë.

 

Ahmet PRENÇI

                         Ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit (2007-’09)*

 

Tiranë,  2019

_____________

*Ahmet PRENÇI, u lind në Dibër, në të 25-ten ditë të prillit 1968, që me etjen e tij për dijen e kulturën, për letërsinë e arsimimin e ndoqi shkollimin e lartë në Universitetin Bujqësor të Kamzës e, mbasandejna, edhe Fakultetin e Drejtësisë (ka fituar e gëzon liçensën e Avokatit), ka kryer kurse e trajnime të ndryshme në detyrat e tij në instituçione ligjzbatuese të Shtetit Shqiptar. Ahmet Prençi ka qënë për rreth tre vite në detyrën e lartë të Drejtorit të Përgjithshëm të Poliçisë së Shtetit (nga 30 mars 2007 deri më 28 tetor 2009). Ahmet Prençi ka qënë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Hetimit Tatimor në DPTSH, inspektor në ILKDP. Ahmet Prençi është dhe poet qysh se në fillimet e tij poetike me nje çikël poetik të botuar më 1985 në gazetën lokale të vendlindjes së tij, në “Ushtima e Maleve”, etj.; është një poet i talentuar, çka e dëshmoi dhe me ma të parin libër poetik të tij “Udhë në pasqyrë” me redaktor Besnik Mustafaj (Botimet M&B. v. 2016, fq.160). Për poezinë e tij kanë shkruar pena të njohura si poetët Besnik Mustafaj, Agron Tufa, studiuesi e kritiku i letërsisë Mexhit Prençi, etj. Ahmet Prençi ishte kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë edhe në zgjedhjet e fundit Parlamentare. Ahmet Prençi ka botuar me dhjetra artikuj, intervista e poezi në shtypin shqiptar në rajonin ballkanik dhe të diasporës shqiptare në Europë e Amerikë.

Please follow and like us: