Lindi më 1 janar 1917 në shtëpinë e Ndue Sokolit në Shëngjergj të Mërturit dhe vdiq në Durrës më 15 janar 1995.

(Marrë shkas nga një rrëfenjë e Ali Rrustem Mulës, këtu rrëzë malit të Dajtit më 06.09. 2019)

E vlerësoj nga ana imë që t`i qasem një teme e cila po quhet e mbetet çdo ditë e më shumë si “arkaike”, e dalë mode, në kushtet e sotme të “modernizimit” tjetërsues i cili po e tret identitetin tonë të vlerave dhe po e shpërlanë shoqërinë tonë mbase edhe përmes implementimit nga të tjerët të projekteve me temë dhe tematikë të përcaktuar qartë, zhbërjen tonë si komb.

Një shprehje sa proverbiale, po aq edhe hynjore perdorej më pare si etalon vlerash shoqërore në Malësinë e Gjakovës dhe jo vetëm e cila për ta shprehur përmbajtësisht e për të matur ekzaktësisht “peshën” e tjetrit në marrëdhëniet shoqërore, thuhej me plot kuptim e asaj fjale se ka qenë burrë.

Kurse pë raste të vlerësimeve shoqërore për persona që e tejkalonin normalen, për ta ka qenë një tjetër shprehja vlerësuese se: ka qenë (kur s`është në këtë jetë) ose është “burrë burrit”, ose “burrë mbi burrat”.

Jo vetëm se është thënë më parë e ka qenë si e tillë, por akoma  thuhet rëndom sot e kësaj dite në opinionin e shëndoshë të shoqërisë tonë se: “burrëria nuk është me qarë ajo është me zararë”, por është një vlerë dhe vlerësim moral i paçmuar i cili edhe me dukat (flori) nuk shkëmbehet, pra sikurse ka qenë dhe është shprehja tradicionale e popullit tonë.

Pra burrëria nuk fitohet duke lakmuar, por duke i dhënë shoqërisë pa u kursyer dhe pa përzgjedhje e përjashtime por barazisht e me sakrifica për të.

Por duhet vënë në dukje se për të qenë “burrë”, “burrë burri”, “burrë mbi burra” nuk ka qenë e thjeshtë dhe e lehtë për ta merituar atë vlerësim.

Vlerësimi “burrë”, “burrë burri”, “burrë mbi burra”, nuk jepej as me dekret, vendime organesh kolegjiale, apo ligje në të cilat raste pjesa më e madhe e vlerësimeve kanë qenë e janë si vlerësime të njeanshme, konjukturale, politike e mbi të gjitha imflative, pasi që në kësi rastesh humbet rëndësia që ka ai vlerësim e i shërben veçse konjukturës e mburrjes së tjetrit.

Kurse vlerësimi tradicional për të cilin bëjmë fjalë, kurdoherë është dhënë dhe jepet nga opinioni i shëndoshë i shoqërisë i cili nuk ndikohet nga faktorë subjektivë, por veçse objektivisht mbi bazën e vlerave që ka tjetri për shoqërinë, vendit që ka zënë e zë në mesin e saj.

Por duhet theksuar se burrëria nuk provohet me fjalë, mburrje e veprime boshe, në gosti e zijafete, por kryesisht burrat provohen dhe sprovohen në kudhrën e ditëve të vështira, por edhe atëherë kur të jepet mundësia për para e pushtet të cilat i tjetërsojnë karakterët e paqëndrueshme.

Gjithë atë sa u trajtua më sipër, e vlerësoj që ta konkretizoj me një shembull konkret përjetuar në kohën e tij.

Konkretisht bëhet fjalë për një malësor tipik, i shkolluar e më dije për kohën që jetoi, në kushtet e  sistemit monist e pikërisht fjala është për Beqir Ndue Sokolin, i cili arriti të skalitej dhe sprovohej në “kudhrën e pushtetit” pra pati pushtet, për pasojë relativisht pati edhe para e mundësi të tjera, por edhe vështirësi të karakterit specifik e deri ekstrem, por në të tre kësi momentesh sprove rezultoi të mos jepet e nuk u dorëzua, qëndroi e nuk u ligështua.

Për Beqir Ndue Sokolin kisha dëgjuar opinione e qëndrime nga disa kategori njerëzish, vlerësime për momente të jetuara nga ata në marrëdhenie me të nga gjithsecili prej tyre.

Një bazë referuese për bindjen time karshi këtij personaliteti kishin shërbyer ato që më thoshte dhe i thotë sot e kësaj dite daja im, Muhamet Hajdar Hoxha, i cili kishte jetuar me të në Durrës dhe pinte kafe herë pas here jo më parë por pasi Beqiri kishte dalë nga burgu.

Që më parë, në saj të këtij respekti të pa interes të cilin e kisha fituar për ketë personalitet, me qëllim prishjen e heshtjes e cila vjen kur s’duhet dhe i lë në harresë e në errësirë vlerat shoqërore, por edhe në atë periudhë kur personave pa ndonjë vlerë shoqërore ose më mirë të themi si antivlera të afirmuara të shoqërisë, u erdhi për dore e po mburreshin pa merita si dhe anatemonin në bllok çdo gjë edhe ato pozitive të së kaluarës (ku bënin pjesë edhe bëmat e atyre anatemuesëve), përkundër rrymës mbajta një qëndrim të caktuar dhe u përpoqa që të jap një kontribut.

Për herë të pare të transkriptuara nga ana ime nga shiriti i manjetofonit, botova si një lëndë të përzgjedhur në numrin e parë të gazetës “Zëri i Malësisë së Gjakovës”, kujtimet e Beqir Ndue Sokolit të cilat dalloheshin për objektivitet. Ai botim u kopjua por nuk u referua ndonjëherë edhe pse është botimi i parë i tyre nga  diçka që e kishte shkruar Beqir Ndue Sokoli për luftën.

Kurse për shkrimin në fjalë më nxitën disa rrëfenja të Ali Rrustem Mulës, të cilat nuk i lashë të kalonin përkryekreje, (pa u kushtuar vëmendjen e duhur) por më erdhën përshtat që t`i fiksoja ato duke ma provokuar shkrimin në fjalë. Duhet theksuar se rrëfenjat e Ali Rrustem Mulës janë ‘‘estetikisht’ ’e të paraqitura në mënyrë objektive.

Normal çuditërish po të rrish më Ali Rrustem Mulën nuk mund të thuash asnjëherë se është koha e humbur, sikurse edhe për rastin në fjalë, të cilit arrita t`i “vjedh” gjëra me vlerë.

Në kësi rastesh koha të ikën sikurse dikush po ta vjedh atë para sysh dhe nuk je i zoti t`i bësh ballë “vjedhjes” së saj. Do isha kurioz ta dija së brendshmi prej tij se vetë protoganistit në fjalë i cili ta “vjedh” kohën me rrëfenjat e tij spontane e për pasojë edhe objektive, si i duket/en kjo/ato pjesë kohe kur vetë ai është në krye të “administrimit”  të saj.

Lumi i jetës së këtij burri rrëfimtar nuk ka qenë pa andrella, herë herë ka qenë i furishëm mezi me e kaluar pa urë brigjesh, herë herë më i mpakur mbi të cilin mund të kaloje gur në gur e pa u lagur por jo çdo herë edhe pa u stërpikur, pa shtuar se se si për çdokënd sa herë ai ka qenë  i turbullt pa ditë se çfarë po bënë me vete, deri edhe “lisa në mot e stuhi”.

Por sot një gjë e vëren qartë se kur ai lum jete i pashtershëm, i cili kalon në sitën e kujtesës së tij, e sheh qartë se një gjë është e sigurtë se kur ai ka kaluar në shtratin e tij të jetës, rrugëkalimit që ka përshkruar ka lënë shumë xhevahire kujtimesh të cilat shkëlqejnë sot e kësaj dite sikur atëherë kur kanë dalë në dritë për së parit herë.

Për Beqir Ndue Sokolin, në muhabet e sipër Ali Rrustem Mula  më tregoi për disa mendime e fjalë të mençme të ndëgjuara vetë prej tij, të cilat duhet arshivuar në fondin e fjalëve të urta të Malësisë së Gjakovës:

Më tha se: “Ishim me pushime në plazhin e Durrësit në mes tjerësh ishte edhe Zef Avdia, këngëtari i mirënjohur nga Curraj e një ditë më thotë: Zefi se Beqir Ndou është në shtëpi e më kanë thanë se është pak pa qef. A po vjen të shkojmë e ta shohim ? I thashë me gjithë qejf. Shkuam te shpija e tij e sipas zakonit na priti me shumë përzemërsi. Zefi me Beqirin po i rikujtonin duke biseduar vitet e hershme të rinisë si dhe vitet e mëvonshme. Gjatë bisedës me e mbajtë muhabetin gjallë, iu drejtue Zefi: Beqir a e din se jemi mocë (moshatarë) me vite e ti je plakë ma shumë se sa une. Ja kthen Beqiri: Si vite baraz i kemi, por kemi një ndryshim të madh me njëri tjetrin, sepse une vitet i kam me të gjata se ti Zef. Se unë kam pasë murmurime gjatë viteve të mia. Zefi e uli kryet e i erdhi keq se mbase me ato fjalë ndërhyri pa vend nuk e diti se po ja kthen atë përgjigje.

Po ashtu gjatë atyre ditëve të pushimit në një rast tjetër isha në ndeje e sipër duke u rrezitur në plazh së bashku me Mehmet Ramën e Koçanajve, i cili ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Tropojë e tuj ndejt së bashku në ranë, kalon aty Beqir Ndou.

Kur na pa u kthye e shikoi prej nesh e tha: A po me bajn sytë apo je Mehmet Rama. Po bash Mehmet Rama jam por hajde e ndërrojmë nga një cigare me kënaqësi. Në bisedë e sipër tha Beqir Ndou se kam 8 vite pa shkue ne Tropojë.

Mehmeti i thotë se a po vjen Beqir Ndou në Tropojë. Ai ja ktheu se jo unë Mehmet Rama nuk kam pse vij në Tropojë se tashti nuk i vyej kurrgja kujt. Por nji gjë po të them Mehmet Rama: Amanet mos hy në aftine popullit të Tropojës. Mehmeti ja kthen se pse po thue Beqir: Po të them se unë kesh deputet në Kuvendin Popullor, Antar i Komitetit Qëndror të PPSH, Drejtor i Përgjithshëm Politik i Ushtrisë, me gradën Kolonel dhe m`u dha rasti për të parë e ndëgjuar shumçka. Po të them se me e shtrue në Rrethe të Tropojës “direktivën” e Partisë e me i ba thirrje popullit të Tropojës se keni me i djegur shtëpitë tuaja vetë ata, i djegin ato.

Kurse Jugu sa janë në mbledhje të Partisë apo forumeve të ndryshme, kujton se tanë (të gjitëh) janë kushërinjët e Leninit. Kurse kur dalin prej mbledhje kujton se s`i ke pa kurrë e nuk ke biseduar me ta gja.

Vetem një gja e ka açik vendeve të tjera malsija jonë. As nuk të lavdojn përtime, as nuk të shajnë përtime. Në këtë gjë nuk kan kandar. Kur të livdojn të livdojnë ma tepër se je. Edhe kur të shajnë të shajnë ma tepër se je. Kjo bisedë tepër interesante në të cilën isha në prezencë më ka mbetur në kujtesë sot e kësaj dite. Respekt për këto dy figura të nderuara të Malësisë së Gjakovës”.

Ky tregim i spikatur i Ali Rrustem Mulës, krahas pasqyrimit të tij me përpikmëri, më nxiti që të bëj edhe këtë trajtesë e përgjithësim.

Pra edhe me ato shprehi monumentale, fjalë të mënçura e qëndrim të tij, tregon më së qarti se Beqir Ndue Sokoli ishte një psikoanalist i shkëlqyer në përgjithësi, e në veçanti për psikologjinë e popullit të Malësisë së Gjakovës të cilin e donte me të mirat që kishte por edhe me huqet me të cilat nuk ishte i dakortësuar.

Në këtë rast pa marrë në trajtesë vetitë e traditat më të mira që ka pasë e ka populli i Malësisë së Gjakovës, të cilat i kanë dhënë dhe i japin vend të merituar në histori, njëkohësisht është evidente se Tropoja ka pas e ka edhe “lajthime” në qëndrimet kolektive të mbajtura herë pas here prej saj.

Është ajo që ndër të parët në veri, jashtë kushteve dhe mundësive, pa ditë pasojat e morën inisiativa për t`u futur në Koop. Bujqësore, po ashtu edhe për kolektivizimin e tufëzimin.

Edhe gjatë pasojave të dimrit 1985, kërkohej shtypi për të “mbajt lartë moralin e popullit” e nuk kërkohej ndihmë për evitimin e pasojave të deborës së madhe. Po ashtu jabanxhinë e respektojmë dhe kjo është traditë, por e vlersojmë më tepër se sa e meriton, kurse tonin e flakim dhe e abandonojmë, pikërisht kur ai është dikushi. Edhe demokracinë dhe pluralizim i “pervetësuam” ekstremisht si askush tjetër jo vetëm në Shqipëri, por ndryshe edhe nga rrethet fqinje sikurse janë Hasi, Puka, Kukësi etj. Është mirë që pa humbur kohë të dimë për të nxjerrë mësime nga këto “shkarje” masive në qëndrime jashtë kohe e logjike që ndodhin herë pas here ne atë Malësi të mirë.

Agron Isa Gjedia

 

(Tiranë më 19.9.2019)

 

   

Fotot: Ali Rrustem Mula, autori i rrëfenjës;

Beqir Ndue Sokoli në vendlindje;

Ndue Sokoli babai i Beqirit, Beqiri me bashkëshorten, si në rini ashtu edhe në pleqëri;

fotot  e tjera me njerëzit e tij të afërm