Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk tha se Shqipëria është më afër objektivit të hapjes së bisedimeve dhe se e meriton, në përputhje dhe me rekomandimin e Komisionit europian. Zoti Tusk i bëri këto komente në Tiranë, në përfundim të takimit me kryeministrin Edi Rama. Sipas tij anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Europian është në interes të vetë Europës prandaj “askush nuk po bën favor askujt”, nënvizoi ai.

Ndërsa Shqipëria pret vendimin e Shteteve anëtare më 18 Tetor, lidhur me hapjen ose jo të bisedimeve për anëtarësim, presidenti i Këshillit europian Donald Tusk tha sot në Tiranë se ai vijon të jetë i mendimit se “Bashkimi Europian duhet që t’i çelë negociatat në përputhje me rekomandimin pozitiv të Komisionit europian të fund majit të shkuar”.

Falë përpjekjeve të saj Shqiëpria theksoi ai, i është afruar më shumë këtij objektivi dhe “askush nuk duhet të ketë as dyshimin më të vogël, as këtu në Tiranë e as në të gjitha kryeqytetet e Bashkimit Europian”.

Presidenti i Këshillit Europian theksoi se “Shqipëria duhet trajtuar duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe sipas meritave të veta, ashtu siç janë trajtuar dhe të gjitha vendet e tjera dhe do trajtohen vendet tjera të rajonit, të cilët ndajnë me ju objektivin e të qenit vend anëtar në BE”.

Ai deklaroi se kishte bisedur me kryeminstrin shqiptar për “rëndësinë që ka për Shqipërinë ruajtja e historikut solid në lidhje me luftën kundër korrupsionit krimit të organizuar, pra, për sundimin e ligjit. Ky fiksim apo obsesion i Bashkimin Europian me sundimin e ligjit dhe madje do të shtoja dhe dy elementë të tjerë, si marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimi është pjesë e ADN-së tonë dhe ka për të qenë dhe ka për të vazhduar të jetë e tillë edhe kur ju të bëheni shtet anëtar. Përndryshe, projekti europian nuk do të qëndronte dot në themele të forta”.

Por nga ana tjetër ai theksoi se “po aq i rëndësishëm është edhe fakti që anëtarësimi i Shqipërisë dhe i rajonit në BE është në interesin më të mirë të të gjithë Europës, pasi nuk do të mund të ketë Europë të sigurt dhe stabël pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE, pasi këtu bëhet fjalë për rëndësinë madhore të së ardhmes tonë të përbashkët. Kjo do të thotë që askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”

Për kryeministrin Edi Rama i cili i dha zotit Tusk dhe medaljen “Ylli i Madh i mirënjohjes” procesi i integrimit të Ballkanit perëndimor në BE ka qenë “një prej pikave të palëvizshme të referimit të udhëheqjes së Presidentit të Këshillit europian” i cili përfundon mandatin në fund të këtij viti. “Më vjen shumë mirë ta nënvizoj dhe qartësinë me të cilën Presidenti Tusk është shprehur gjithnjë për këtë proces dhe padiskutim të çmoj para gjithë opinionit tonë publik përpjekjet e tij konstante, si një avokat i procesit të zgjerimit dhe i procesit të afrimit të mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor, specifikisht të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian”.

Fjala e fundit i takon vendeve anëtare. Më rëndësi do të jetë pozicioni i Gjermanisë ku parlamenti pritet të shprehet në ditët e mbetura të këtij muaji. Me gjasë mund të flitet për një hapje të bisedimeve me kusht. Një qasje që mund t’i shkonte për shtat edhe Francës.