Aeroporti “Hartsfield-Jackson” në Atlanta të Shteteve të Bashkuara u shfrytëzua nga 107 milionë udhëtarë vitin e kaluar, duke e bërë atë më të ngarkuarin në botë për 21 vjet me radhë.
Ky aeroport shënoi 3.3 për qind rritje të numrit të udhëtarëve, sipas raportit të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve për trafikun ajror, i cili u publikua të hënën.
Ndryshe, në nivel botëror, numri i udhëtarëve që e shfrytëzuan trafikun ajror shkoi në 8.8 miliardë, që paraqet rritje prej 6.4 për qind, ndërsa transporti i mallrave me aeroplanë gjithashtu shënoi rritje, por për vetëm 3.4 për qind.
“Raporti për trafikun botëror të aeroporteve dëshmon se edhe aeroportet e vogla në mbarë botën kanë shënuar rritje të fluturimeve dhe aeroportet e mëdha gjithashtu po rriten”, tha Angela Gittens, drejtoreshë e këtij këshilli.
“Në botë ishin 16 aeroporte që patën më shumë se 40 milionë pasagjerë në vit më 2008, ndërsa tash janë 54 të tilla”, shtoi ajo. Sipas saj, transporti ajror mbështetet në treg të hapur, i cili duhet të rritet, dhe se politikat izoluese e dëmtojnë atë, shkruan “CNN”.