Domatja, sidomos kur është e stinës, ka aftësinë të na dhurojë vakte të shijshme.
Ajo është e pasur me vlera dhe sidomos me antioksidantë.
Ajo është një burim i jashtëzakonshëm i vitaminës C, vitaminës K, vitaminës E dhe B6 por përmban edhe fosfor, proteina, zink dhe hekur.
Falë këtyre vlerave, domatja të bën mirë për zemrën dhe ul kolesterolin.
Çlirimi i shumë prej këtyre vlerave të domates është më intensiv kur domatja gatuhet në vaj ulliri.
Në rastin e antioksidantëve, që luftojnë radikalet e lira dhe shumë sëmundje, domatja i çliron ato në mënyrë të ndjeshme kur gatuhet për të paktën 15 minuta.
Në këtë periudhë kohore sasia e aktivizuar e antioksidantëve rritet me 171 përqind.
Me gatimin e domates nuk nënkuptohet ndonjë recetë e vështirë.
Mjafton që të qëroni domaten, ta prisni në kubikë e ta hidhni në tigan të spërkatur me pak vaj ulliri.
Uji do të shterojë dhe kështu keni përfituar një pure domatesh ose salcë, quajeni si të doni, jo vetëm të shijshme por edhe shumë të shëndetshme.
Përse duhet hequr cipa e domates përpara gatimit?
Ekspertët, të cilueve u referohet AgroWeb.org thonë se cipa e hollë që mbështjell domaten duhet hequr përpara gatimit sepse ajo e bën salcën më të hidhur.
Hidhësia e cipës së domates mbetet edhe nëse ju e përpunoni atë me gjithë lëkurë në një mikser.
Po ta keni vënë re, në gatimin e supave apo salcave cipat e domates mbështillen e rrudhen duke u bërë një pengesë në gëlltitjen dhe shijimin e domates.
Salca e domates që ka cipat e saj në brendësi nuk është e valëzuar, e njëtrajtshme dhe unifrome.
Për pasojë, ekspertët e kuzhinës rekomandojnë heqjen e saj përpara gatimit.
Një nga teknikat më të përdorura të amvisave është vendosja e domateve në ujë të nxehtë.
Pasi kanë qëndruar në të për një minutë, cipa do të shkëputet shumë lehtë.
Kjo teknikë ka mbështetjen e shumë ekspertëve ndërkombëtarë të kuzhinës, të cilët shtojnë se domatja më pas duhet hedhur menjëherë në ujë të ftohtë dhe cipa mund të hiqet me gishta.
Domatet rekomandohen të gatuhen pa cipë kur bëhet fjalë për salcë makaronash dhe supa e gjellëra.