Ballina Aktualitet Vendet e Vishegradit mbështesin anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Vendet e Vishegradit mbështesin anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Kryeministrat e vendeve të Grupit të Vishegradit, pas samitit të mbajtur në Pragë, me krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kërkojnë përshpejtimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Nëse BE-ja do të kishte pranuar Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë si vende anëtare të BE-së, nuk do të kishte kaq shumë migrantë të paligjshëm në Evropë. Do të mund të ndalonim migrimin e paligjshëm”, u tha në konferencën e përbashkët me gazetarë të kryeministrave të Polonisë, Slovakisë, Hungarisë dhe Çekisë.

“Politika nuk e pranon boshllëkun. Nëse nuk i bëjmë ofertë Ballkanin Perëndimor, vende si Rusia, Turqia dhe Kina do të jenë shumë aktive. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerë evropianë dhe natyrorë të BE”, tha kryeministri polak Mateusz Moravicki.

Kryeministri hungarez Viktor Orban shprehu kënaqësinë e tij që një hungarez është komisionar i ri evropian për zgjerim, duke shtuar se ai është një ekspert në këtë fushë.

“Është e qartë nga historia që Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe gjithashtu Shqipëria kanë interes të jenë pjesë e BE-së. Ne jemi të bindur se kjo nuk është një barrë por një mundësi. BE-ja do të jetë më e fortë nëse i pranojmë ato shtete të Ballkanit, por edhe ato që nuk i përmenda. Ne i mbështesim të gjithë”, tha kryeministri Orban.

Në këtë samit ka qenë i ftuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpo ai, e ka anuluar pjesëmarrjen.

Në letrën që i ka dërguar kryeministrit çek, Andrej Babis, Haradinaj ka thënë se “Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e samitit”.

Grupin e Vishegradit e përbëjnë: Çekia, Sllovakia, Polonia dhe Hungaria.