Meksika tha se ka frenuar me sukses numrin e migrantëve pa dokumente që kalojnë në Shtetet e Bashkuara.
Sekretari i Jashtëm, Marcelo Ebrard, tha të premten se numri i tyre është zvogëluar për 56% nga muaji maj.
SHBA-ja dhe Meksika janë pajtuar në qershor për një afat prej 90 ditësh për të zvogëluar rrjedhën e migrantëve në SHBA.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do të zbatojë tarifa ndaj importeve nga Meksika, nëse autoritetet atje nuk veprojnë për të frenuar migrimin.
Zyrtarët meksikanë, përfshirë Ebrardin, pritet të udhëtojnë në Uashington javën e ardhshme, për të diskutuar rreth përpjekjeve të tyre.
“Nuk pres të ketë kërcënime me tarifa të martën”, tha Ebrard.
Trump është zotuar se do të vendosë taksë 5% mbi importet meksikane dhe se ajo do të rritet çdo muaj, nëse Meksika nuk vepron.