Këshilltari i lartë për Sigurisë Kombëtare i Indisë tha të shtunën se një numër i madh personash që dyshohet të jenë militantë, po përpiqen të depërtojnë në Kashmir. Ai akuzoi Pakistanin se po përpiqet të krijojë probleme në rajon.

“Rreth 230 terroristë janë gati të depërtojnë në pjesë të ndryshme të Kashmirit”, u tha gazetarëve Ajit Doval, këshilltar për Sigurinë Kombëtare i kryeministrit Narendra Modi.

“Një numër i madh armësh po futen kontrabandë dhe njerëzve në Kashmir po u kërkohet të krijojnë probleme”, tha ai.

Zyrtarët ushtarakë thanë se informacioni bazohej në përgjimet e kryera me radio dhe falë shërbimeve të zbulimit në terren.

India akuzon prej kohësh Pakistanin për përkrahje dhe trajnim të militantëve me qëllim nxitjen e kryengritje separatiste në Kashmir, gjë që mohohet nga Islamabadi.

Një muaj pasi India mori nën kontroll të drejtpërdrejtë territorin e saj të vetëm me shumicë myslimane, duke i hequr statusin e vendit gjysmë autonom dhe dislokimin e mijëra trupave për të parandaluar protestat e dhunshme, banorët në Kashmir vazhdojnë të përballen me kufizime të lëvizjes dhe komunikimit.

Por zyrtarët thonë se 90 për qind e luginës së Kashmirit është pa kufizime gjatë ditës dhe se qindra shkolla e zyra qeveritare janë rihapur.

Organizata që mbron të drejtat e njeriut “Amnesty International” nisi këtë javë një fushatë duke kërkuar nga Nju Delhi të heqë bllokadën e komunikimit.

“Kjo gjë ka ndikuar rëndë në jetën e përditshme të banorëve të Kashmirit, mirëqenien e tyre emocionale e mendore, kujdesin shëndetësor si dhe në qasjen e tyre ndaj shërbimeve bazë”, tha Aakar Patel, kreu i organizatës për Indinë.