I fuqizuar në 185 km në orë, Uragani Dorian goditi bregdetin Juglindor të Shteteve të Bashkuara me erë dhe shira të fortë të enjten, duke lënë pa energji elektrike më shumë se 200,000 shtëpi dhe biznese, ndërsa shkonte drejt veriut, në drejtim të Karolinës së Veriut.
Pasi shkaktoi vdekjen e 20 vetëve dhe shkatërrim të jashtëzakonshëm në Bahamas, Dorian vazhdoi drejt brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara, duke kaluar pranë Floridës të mërkurën por në një distancë relativisht të sigurt. Prej andej, stuhia e kategorisë 3 preku shkarazi Xhorxhian dhe goditi bregdetin e Karolinës së Jugut me efekte më serioze.
Rreth 3 milion njerëz në Florida, Xhorxhia dhe në Karolinën e Jugut dhe të Veriu, u paralajmëruan të evakuohen ndërsa stuhia afrohej dhe me mundësinë për të kërcënuar jetë njerëzish.
Të paktën dy vdekje u njoftuan në pjesën kontinentale të Shteteve të Bashhkuara, në Florida dhe Karolinën e Veriut.