Nga Ines Pohl
1 Shtatori nuk është vetëm një datë historike. Këtë të dielë, partia populiste, AfD arriti rezultatin më të madh në zgjedhjet e dy landeve. Kjo tregon, se sa po lufton Gjermania me veten, komenton Ines Pohl.

Më 1. Shtator 1939 në orët e para të mëngjesit gjermanët filluan Luftën e Dytë Botërore me sulmin kundër Polonisë. Me miliona të vrarë, të plagosur, gra të përdhunuara, të dëbuar dhe një botë, që ende edhe sot vuan nga vala shkatërruese e nazistëve.

Pikërisht më 1. Shtator, 80 vite më vonë një parti feston në Gjermani suksesin dyshifror në votime, duke i kërkuar votat me qëndrime nacionaliste dhe raciste. Në Saksoni dhe Brandenburg ajo arriti rezultatet më të mira të shënuara nga AfD. Me këtë rezultat, kjo parti ia doli që në të dy landet lindore gjermane të ngjitet vetëm brenda pak vitesh nga një parti e vogël në forcën e dytë politike më të rëndësishme në parlamentet e landeve. E nuk mund të qetësohesh, pse populistët e djathtë, megjithë prognozat serioze, nuk ia dolën dot të dilnin në Saksoni partia më e fuqishme.

Kohë të suksesshme ekonomike

Çfarë na thotë ky rezultat për Gjermaninë, që në kohë ekonomikisht shumë të suksesshme dhe një peizazh partiak relativisht të qëndrueshëm, një parti e tillë arrin kaq sukses? Dhe për çfarë duhet të trembemi, nëse kohët ndryshojnë dhe Gjermania bie ndoshta edhe në një vorbull të recesionit botëror? Sa të sigurta qëndrojnë muret mbrojtës kundër zjarrit, sa e fortë vetëdija, që në Gjermani kurrë më nuk duhet të marrë përgjegjësi qeverisëse një parti, me një shumicë anëtarësh racistë?

Të humbura kanë dalë të dyja partitë tradicionale, CDU-ja e Angela Merkelit dhe socialdemokratët, që morën në të dyja landet rezultatet më të dobta që nga bashkimi i Gjermanisë. Kjo tendencë në thelb do të thotë, se edhe në Gjermaninë kaq të stabilizuar  po bëhet gjithnjë e më e komplikuar gjetja e koalicioneve qeverisëse. Dhe se nuk funksionon më parimi i partive popullore të mëdha, që si një rezervuar mbledhës fusnin brenda ekstremet majtas e djathtas qendrës politike. E gjitha kjo është një provë, se sa po lufton Gjermania në kërkim të asaj, se çfarë vendi do që të jetë? Çfarë kursi do të ndjekë në politikën e refugjatëve, por edhe në çështje të tjera të mëdha ekonomike dhe socialpolitike. Sa shtet kombëtar duhet dhe sa integrim në Europë?

Arroganca është në vendin e gabuar

Është në natyrën e historisë, që vetëm më pas dallohet dhe vlerësohet, se çfarë ka ndodhur në një moment të caktuar historik, dhe se çfarë ndikimi kanë pasur ngjarjet për të ardhmen. Në këtë kuptim vetëm mund të spekulosh, se çfarë do të shkruhet më vonë në librat e historisë për 1 shtatorin e vitit 2019.

Ines Pohl Kommentarbild App

Kryeredaktorja e Deutsche Welles, Ines Pohl

Nuk ka dyshim: Rezultate të tilla e bëjnë me krahë AfD-së në shkallë federate, ajo ndjehet e fortë dhe nuk ka për t’u zhdukur kaq shpejt nga skena politike. Për këtë arsye, partitë e tjera duhet të gjejnë mënyrën si të veprojnë me këtë parti. Të dalësh tani me fodullëk dhe arrogancë, do të ishte një gabim fatal. Këto rezultate ua kanë bërë brutalisht të qartë atyre që kanë përgjegjësi politike, se diçka në këtë vend ka shkarë keq, dhe se ata do të bënin mirë të vështrojnë me kujdes dhe të dëgjojnë me vëmendje, se çfarë i çon votuesit në krahët e populistëve.

Është pjesë e përgjegjësisë historike të Gjermanisë po ashtu, që ka parime të caktuara, të cilat janë të panegociueshme. Këtu bën pjesë ushtrimi i lirisë së besimit fetar, po ashtu edhe e drejta për azil për njerëzit në rrezik. Këtu bën pjesë po ashtu, që parime të tilla nuk lejohet të sakrifikohen, pavarësisht sa i vështirë është krijimi i një qeverie.