Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet eliminatore të kampionatit Europian 2020.
Në listën e bërë publike nga Reja ka disa ndryshime të rëndësishme. Janë dy prurje të reja, si Marash Kumbulla dhe Klaus Gjasula. Sa i përket mungesave, bien në sy mos thirrja e Armando Sadikut dhe Eros Grezdës. Ky i fundit bashkë me 6 futbollistë të tjerë janë futur në listën e rezervave të Rejas që mund t’i bashkohen grupin në rast të ndonjë dëmtimi gjatë stërvitjeve të këtyre ditëve.
Në portë Reja nuk ka asnjë surprizë, teksa ka thirrur tre “muskëtierët e zakonshëm, Thomas Strakoshën, Etrit Berishën dhe Alban Hoxhën. Në mbrojtje janë Hysaj, Dermaku, Mihaj, Ismajli, Gjimshiti, Veseli, Mavraj dhe rishtari Kumbulla.
“Do të luajmë kundër një skuadre të fortë. Dihet se çfarë vlerash ka ai ekip, por në asnjë garë nuk dihet rezultati para ndeshjes. Ne do të përpiqemi të bëjmë maksimumin duke mbajtur lart përqendrimin. Shqipëria ka bërë gjithmonë paraqitje të mira me Francën. E di shumë mirë që është e vështirë, më pëlqeu ajo që bëmë me Islandën, më pak ajo me Moldavinë, pasi mendova se do të bënim sërish mirë, por gjithsesi ishte rezultati i rëndësishëm në fund. Përballja direkt nuk është me Francën, por me Islandën. Nëse do fitojmë me Islandën do të rregullojmë pozicionin tonë në tabelë. Por nuk i dihet, pasi kush e priste që Turqia të fitonte me Francën. Gjithsesi është e rëndësishme për ne që mos të gabojmë me Islandën. Nëse marrim një rezultat me Islandën do të bënim një hap të rëndësishëm në këto eliminatore”, tha ai.