Një cisternë iraniane në qendër të një mosmarrëveshjeje midis Uashingtonit dhe Teheranit, ka ndryshuar destinacion dhe nuk po udhëton më drejt portit Iskenderun të Turqisë, siç ishte bërë e ditur më parë.

Të dhënat e firmës Refinitiv për vëzhgimin e rrugëve të anijeve tregojnë se cisterna Adrian Darya 1 nuk ka asnjë destinacion konkret.

Të premten, Departamenti amerikan i Thesarit e përfshiu në listën e zezë cisternën, e cila u ndalua nga Britania pranë Gjibraltarit në muajin korrik për shkak të dyshimeve se po dërgonte naftë iraniane në Siri, në shkelje të sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif akuzoi Shtetet e Bashkuara në Twitter për angazhim në “pirateri dhe kërcënime” për të ndaluar Teheranin t’u shesë naftë klientëve tradicionalë.

Turqia tha se cisterna ishte drejtuar për në ujërat e Libanit, por Shtetet e Bashkuara më vonë thanë se ajo po lundronte për në Siri.

Porti Iskenderun i Turqisë është 200 km në veri të rafinerisë siriane Baniyas, që dyshohet se ishte destinacioni i mëparshëm i cisternës.

Kur anija u lejua të ikte nga Gjibraltari në mes të gushtit pas një bllokimi pesë-javor, Irani i deklaroi Britanisë se ngarkesat nuk drejtoheshin për në Siri.

Të dhënat e gjurmimit të anijes treguan se ajo po shkonte në drejtimin perëndimor, pas lundrimit më parë drejt lindjes për në bregdetin turk.