Në Helsinki të Finlandës të premten zhvillohet takimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Pritet që në këtë takim të dominojë tema e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas arritjes në Helsinki, Komisionari për zgjerim dhe fqinjësi i BE-së, Johannes Hahn ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kyç për perspektivën evropiane të rajonit.

Ai ka thënë se Kosova duhet të heqë tarifat prej 100 për qind në mallrat ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Serbia duhet të heqë dorë nga fushata kundër Kosovës.

“Të dyja palët duhet të bëjnë disa hapa në drejtim të njëra tjetrës, dhe pastaj mund të gjejmë një zgjidhje. Kjo nuk është e pamundur”, është shprehur Hahn.

Kosovën në këtë forum po e përfaqëson, ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Burime nga presidenca finlandeze, të cilët organizuan këtë takim, theksuan se ata nuk pajtohen me vërejtjet e palës serbe për pjesëmarrjen e barabartë të zyrtarëve të Prishtinës në takim, pasi ky është një takim joformal ku do të diskutohen tema me rëndësi të madhe për të gjithë rajonin.

Në nëntor të vitit të kaluar, autoritetet e Kosovës kanë vënë taksë 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Këtë veprim, presidenti serb, Aleksadar Vuçiq e ka përmendur vazhdimisht kur ka arsyetuar pezullimin e bisedimeve në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu mes këtyre dy shteteve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian ka filluar më 2011.