Qeveria britanike i ka kërkuar Mbretëreshës Elizabeta II, që të pezullojë punën e parlamentit, vetëm disa ditë pasi ligjvënësit britanikë të nisin punën dhe vetëm pak kohë para afatit të fundit për finalizim të Brexitit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Fjalimi i Mbretëreshës do të mbahet pas pezullimit të parlamentit më 14 tetor, për të vënë në pah “agjendën e tij entuaziaste”.

Mirëpo një gjë e tillë nënkupton se deputetët britanikë do të kenë shumë më pak kohë për të parandaluar largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Deputeti, Dominic Grieve, e ka konsideruar këtë thirrje “akt të turpshëm”.

Ai ka paralajmëruar se një situatë e tillë do të rezultojë me votëbesim pasi sipas tij “kjo qeveri duhet të bie”.

Megjithatë, Johnson ka thënë se është “plotësisht e pavërtetë” të pretendohet se pezullimi i punës së parlamentit është i motivuar nga dëshira për ta shtyrë përpara një Brexit pa marrëveshje.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të presë pas Brexitit “që të realizojë planet për të përparuar shtetin”, dhe se deputetët kanë kohë të mjaftueshme për të diskutuar largimin e Britanisë nga blloku evropian.

“Neve na duhet një legjislacion i ri. Neve na duhet të dërgojnë përpara projektligje të reja, andaj do të kemi Fjalim të Mbretëreshës”, ka thënë ai.

Ideja e pezullimit të punës së parlamentit, ka nxitur debate të shumta, pasi kritikët kanë thënë se një gjë e tillë do të pengonte deputetët që të luajnë rolin e tyre demokratik në procesin e Brexitit.

Nië numër i figurave të larta shtetërore, duke përfshirë ish-kryeministrin, John Major, kanë kërcënuar se do ta ndalin këtë vendim përmes gjykatave.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.