Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së, për të krijuar një ekip ad-hoc i cili do të bënte një Verifikim (Vetting), të të gjithë atyre që do të futen nëpër listat zgjedhore!…

Vetting – Verifikim të pastertisë së udhëheqësit!
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Një Vetting ose në shqip një Verifikim, për listat zgjedhore të të gjithë kandidatëve është domosdoshmëri, nëse dëshirojmë që këto zgjedhje të prodhojnë një solucion më të mirë. Në të kundërtën, vetëm do të bëhet riciklimi i figurave politike tashmë të demoduara, të shpenzuara dhe të atyre që janë përgjegjës të drejtpërdrejt për gjendjen e tanishme, ku ka rënë Kosova në të gjitha planet e saj.
Ky Vetting është nevojë, është domosdoshmëri. Vettingu nuk mund të krijohet nga grupet e interesit, as nga shoqëria civile shqiptare e cila është pjesë e polarizimeve për të sjellë Kosovën në këtë gjendje, prandaj kërkohet ndihma e SHBA-së dhe e vendeve të BE-së. Pa asnjë dyshim, ky hap duhet të merret fillimisht nga SHBA-ja e cila do të mbështetet edhe nga aleatët e saj në Bashkimin Evropian. Nëse kjo gjë do të ndodhë, do të jepej një sinjale se ma në fund diçka e mirë që do të sjell sukses po nis në Kosovë. Përveç këtij Vettingu ad-hoc, duhet të krijohen edhe komisione të tjera të kësaj natyre të cilat duhet të udhëhiqen nga një ekip ndërkombëtar i cili edhe për një kohë duhet ta monitoroj sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë nëse dëshirohet që në një kohë rekorde të kemi suksese substanciale. Ky Vetting, duhet të krijohet menjëherë dhe t’i verifikojë të gjithë kandidatët nëpër listat zgjedhore, veçmas, ky verifikim duhet të bëhet për të gjithë bartësit e listave zgjedhore, po sidomos për pretenduesit e postit të kryeministrit të ardhshëm të Republikës së Kosovës.
Qeveria e ardhshme duhet të jetë më e mirë, jo vetëm se kjo që shkoi, por më mirë se sa të gjitha qeveritë e gjertanishme së bashku. Janë këto arsye pse thërrasim për një Vetting i cili do të garantonte për sukses, pasi jemi skeptik se shoqëria jonë ka arritur një vetëdijesim i tillë, dhe mund të reformohet nga vet shqiptarët pa ndërhyrjen e Bashkësisë Ndërkombëtare, pa trysnin që duhet ta ushtrojnë aleatët dhe vendet mike të Kosovës, të cilat kanë investuar shumë në Kosovë dhe vazhdimisht kanë bërë thirrje për reforma substanciale të cilat nuk u bënë në këto 20 vjet, madje as sivjet në zgjedhjet e brendshme partiake.
Zgjedhjet e brendshme partiake, as sivjetme, nuk kanë dëshmuar pjekuri politike, dhe nuk kanë dhënë shenja të mjaftueshme se e duan Kosovën aq sa deklarohen. Prandaj me atë avaz klanor nuk posedojnë kapacitete për ta nxjerr vendin nga kriza. Liderët e tyre u treguan teknokrat, nuk lejuan kundër kandidat dhe kryesisht janë zgjedhur me votim të hapur. Ata mbetën në konceptet e tyre tashmë të vjetruara, mbetën të pandryshuar dhe të pa përmirësuar andaj nuk e meritojnë fare për tu futur në listat zgjedhore.
Nëse duam ta nxjerrim Kosovën nga kriza, një Vetting është domosdoshmëri për këtë moment historik, prandaj apeloj tek SHBA-të dhe vendet e BE-së, që të mos hezitojnë, por menjëherë të formojnë Komisionin e Vettingut, i cili në bashkëpunim edhe me organet kompetente të Republikës së Kosovës, qoftë Komisioni Qendror Zgjedhor, Prokuroria e Shtetit, a ndonjë sektor tjetër që merret me monitorimin e zgjedhjet në Kosovë. Ky komision duhet të ndërhyjë në të gjitha listat, duke mos pranuar certifikimin e atyre kandidatëve të cilët janë pjesë e skenarëve për dështim. Pastaj të gjithë kandidatët që mund të jenë në lista zgjedhore, por më vonë kanë për tu përballur me Gjykatën Speciale në Hagë nuk duhet të jenë pjesë e këtij spektakli dhe as spektakleve të tjera mediatike. Në listat zgjedhore nuk duhet të futen asnjëri nga kandidatët që me veprimet e tyre politike, kriminale dhe korruptive ka rënë në kundërshtim me ligjin. Nëpër listat zgjedhore në asnjë mënyrë nuk duhet të futen asnjë kandidat i cili është përballur më herët me drejtësinë nacionale dhe atë ndërkombëtare, pavarësisht verdiktit përfundimtar që kanë sjellë ato gjykime. Madje nuk duhet të futen asnjëri nga kandidatët që për një arsye ose një tjetër kanë mbajtur burg, qoftë ai burg për raste në komunikacion apo për mos pagesën e rrymës elektrike, ujit ose tatimit, e le më nëse kemi raste morale dhe ata që janë akuzuar për raste kriminale.
Asnjëri nga pasanikët e rrejshëm dhe shfrytëzuesit e parasë publike nuk duhet të jenë në lista. Të gjithë ata që kanë shtuar e trefishuar pasurinë e tyre e cila nuk ka mundësi të bëhej me të ardhurat e tyre, nga puna në politikë a institucione të tjera, nuk duhet të jenë pjesë e listave zgjedhore. Madje as ata që për shumë vite kanë qenë mekanizmi mbrojtës i shefave të tyre me dosje e akuza të paraqitura në gjyqësorin vendor e ndërkombëtar, por vazhdimisht kanë heshtur. Në lista zgjedhore nuk duhet të figurojnë asnjë emër i cili në mënyrë klandestine dhe antistatutare janë sistemuar e avancuar si strukturë në partitë politike dhe asnjëri nga kandidatët e mundshëm të cilët janë bërë bajat duke kaluar nga partia në parti dhe as ata që kanë siguruar diploma e grada akademike të pamerituara. Natyrisht edhe ata të cilët kanë deklaruar për vija të kuqe por që i kanë shkelur vet, edhe ata janë mashtrues dhe të gjithë ata të cilët bartin merita e pozita në saje të luftës dhe të paqes, por që i kanë fituar në mënyrë jashtë ligjore, jashtë shkencore dhe jashtë demokratike nuk duhet të lejohen që të jenë pjesë e sistemit zgjedhor.
Këtë Vetting, nëse e krijon SHBA-ja dhe aleatët e saj nga vendet e BE, do të ishte një sinjal se e mbara të fillon me këto zgjedhje. E dyta do të shtohej numri i zgjedhësve dhe gjendja morale e popullsisë do të ndryshojë për të mirë. Pastaj ky komision do të duhej t’i paralajmëronte të gjithë kandidatët, për të cilët më vonë do të kuptohej se paskan shkelur e manipuluar këto parime, do të shporren nga strukturat politike e udhëheqëse sepse nuk ia vlen Vettingu të ketë mëshirë.
Edhe Partitë Politike, qysh tashti do të duhej të paralajmëroheshin për t’i mbajtur zgjedhjet partiake gjatë vitit 2020. Në këto zgjedhje duhet partitë me i bërë reformat substanciale dhe të pranueshme sipas parimeve demokratike. Ato zgjedhje me rigorozitet duhet të vëzhgohen nga një Trup Ndërkombëtare në bashkëpunim të ngushtë edhe me organizata vendore, pse jo edhe bashkë me Komisionin Zgjedhor, për të pasur sukses në eliminimin e të gjithë atyre që janë të involvuar në krim dhe kriminalitet, te gjithë atyre që janë fajtor për gjendjen e tanishme: Vetëm në këtë mënyrë munden me u krijuar kushtet për ndryshme të mëdha, të cilat nëse SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Evropian nuk do të lëshonin pe, për t’i lënë në mëshirën e përgjegjësve të gjendjes së tanishme, kurrë stabilizim dhe përparim, Kosova nuk do të ketë.
Prandaj u bëjmë thirrje publike ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatik të SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, që në bashkëpunim me qeveritë e tyre dhe me zyrat përkatëse që i përcjellin zhvillimet dhe ndryshimet e gjithmbarshme në Kosovë të bëjnë të pamundurën për të marrë këtë hap të domosdoshëm, dhe në anën tjetër për të treguar pragmatizmin demokratik dhe fuqinë e ndryshimit që e bëjnë vetëm këto ndërhyrje pozitive, të cilat vijnë nga vendet aleate dhe partneret gjeostrategjik të Kosovës!
Vijon…
St. Gallen, 27 gusht 2019.
*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.