Presidenti Donald Trump ka hequr dorë nga beteja me Kongresin lidhur me shkurtimin e 4 miliardë dollarëve të ndihmave për vendet e ndryshuar destinacionin e fondeve që nuk mbështesin drejtpërdrejt përparësitë e qeverisë amerikane. Njofton korespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine.

Presidenti Trump ka shprehur rezerva për ndihmat amerikane ndaj vendeve të huaja duke i quajtur ato të kota dhe të panevojshme, dhe se do të shqyrtojë një propozim për ndaluar financimin e tyre.

“U japim miliarda dollarë vendeve që nuk na duan aspak. Unë jam duke e shkurtuar këtë ndihmë.”

Por pasi ligjvënësit demokratë dhe republikanë kundërshtuan përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë, administrata u tërhoq.

Disa ekspertë pajtohen me presidentin se jo të gjitha fondet amerikane për organizatat ndërkombëtare dhe vendet e huaja shpenzohen ashtu si duhet. Por ata e kundërshtojnë propozimin për shkurtimin e të gjitha ndihmave pa justifikim. Brett Schaefer është me Fondacionin Heritage.

“Nëse shpresojnë që ato para të përdoren apo të caktohen më mirë në të ardhmen, ata duhet të ofrojnë arsyetim bindës për Departamentin e Shtetit, agjencinë e ndihmave dhe ligjvënësit amerikanë.”

Ekspertë të tjerë dhe organizata ndërkombëtare të zhvillimit e mirëpritën vendimin për heqjen dorë nga shkurtimet si një fitore të madhe. Paula Garcia Tufro është me Këshillin e Atlantikut.

“Është një fitore e madhe për Shtetet e Bashkaura dhe interesat e tyre, pasi ishte një përpjekje dritë-shkurtër për të politizuar ndihmën për vendet e huaja nën preteksin e shkurtimit të defiçitit, kur faktikisht ndihmat e huaja janë më pak se një përqind e buxhetit federal.”

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo është shprehur publikisht në pajtim me presidentin që çdo dollar i taksapaguesve amerikanë duhet shpenzuar me kujdes për të reflektuar përparësitë amerikane. Nën drejtimin e presidentit, Departamenti i Shtetit ka ngrirë ndihmat për El Salvadorin, Guatemalën dhe Hondurasin, duke thënë se këto vende nuk po ndërmarrin hapa konkretë për të ulur numrin e imigatëve të paligjshëm që vijnë në kufirin amerikan.