Parlamenti i Kosovës u shpërnda. Deputetët votuan në favor të shpërndarjes duke hapur rrugën që presidenti Hashim Thaçi, të shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, që sipas kushtetutës, duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së parlamentit.

Kjo është hera e parë që parlamenti voton për shpërndarjen e tij.

Vendimi pasoi dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik pasi u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Dorëheqja e zotit Haradinaj i dha fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate që garuan së bashku ne zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit 2017. Ngritja e qeverisë Haradinaj u bë në fillim të shtatorit të atij viti dhe përgjatë tërë kësaj kohe u përball me vështirësi në kalimin e ligjeve në parlament për shkak të votave të pakta.

Pak ditë para dorëheqjes së zotit Haradinaj dolën sheshazi më shumë se kurrë edhe përplasjet e brendshme ndërmjet drejtuesve të koalicionit qeverisës që lidheshin më shumë me qasjen ndaj tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Serbinë.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, asnjë qeveri nuk e ka përmbushur mandatin 4 vjeçar.

Që nga dorëheqja e zotit Haradinaj, partitë politike u shprehën në favor të zgjedhjeve duke përjashtuar mundësitë e tjera, ndonëse sipas kushtetutës presidenti mund dhe i kërkoi koalicionit fitues të zgjedhjeve të kaluara që të emërojë një mandatar të ri për qeverinë.

Ende pa u shpallur zgjedhjet e reja, partitë janë përfshirë në një fushatë për ngritjen e koalicioneve të reja parazgjedhore.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se vendimi i sotëm i parlamentit paraqet hap të rëndësishëm drejt krijimit të qeverisë së re.

“Një fushatë, në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja për bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, do të siguronin që Kosova nuk humb më shumë kohë në ngritjen e themeleve për të ardhmen”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një komunikatë se shpërndarja e parlamentit “përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re”.

Tani, theksoi ai, “është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri”, ndërsa paralajmëroi se “së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës”.