Krijuar nga BioMitech dhe i quajtur Dionbio BioUrban, projekti lidhet me një lloj peme artificiale e cila ashtu si pemët natyrale, thith ndotjen dhe çliron ajrin e pastër. 

Herë pas here, Mexico City paralizohet nga tymi i makinave, industria dhe madje edhe vullkani i afërt, Popocatepetl. Për të luftuar këtë, një grup inxhinierësh kanë një propozim të ri për të zvogëluar problemin.

Kjo shpikje duket premtuese, veçanërisht për ata që vuajnë më shumë nga ndotja: këmbësorët, qytetarët e moshuar dhe çiklistët. Pema robotike BioUrban nga BioMitech ka një sistem që është në gjendje të thithë ndotjen dhe, përmes përdorimit të teknologjisë, të imitojë procesin natyror të një peme për pastrimin e ajrit.

Duke shfaqur një strukturë metalike, pema kap ndotjen përmes mikrobeve dhe kryen një proces fotosinteze 365 ditë në vit për të kthyer ajrin e pastër. Sipas krijuesve të saj, një pemë robotike BioUrban mund të kryejë punën e 368 pemëve të vërteta.

Pema robotike me lartësi 4 m nuk kërkon të zëvendësojë pemët e vërteta, por përkundrazi t’i plotësojë ato. Në të vërtetë synohet të instalohet në më shumë vende urbane, me trafik të lartë këmbësorësh, automjete, çiklistë dhe transport publik. E para nga këto pajisje u instalua në Puebla, Mexico, dhe ka një çmim që ndryshon nga projekti në projekt, por është diku rreth 50.000 dollarë.