Faktet janë befasuese në Xhakarta të Indonezisë. Qyteti po fundoset e toka “po jep shpirt”. Shkak është pesha e rëndë e ndërtesave të këtij qyteti me 10 milionë banorë.

Ekspertët ambientalistë paralajmërojnë se një e treta e qytetit do të jetë nën ujë deri në 2050 nëse ritmet aktuale nuk ndryshojnë. Dekada të tëra shfrytëzim i pakontrolluar dhe i tepruar i rezervave nëntokësore, rritja e nivelit të deteve dhe kushtet e luhatshme të motit bëjnë që pjesë të mëdha të qytetit të zhduken nën ujë.

Masat e marra kanë pasur pak rezultate ndaj autoritetet po ndërmarrin një hap drastik, vendit i duhet një kryeqytet tjetër. Dhe se kush do të jetë ai, do të njoftohet së shpejti.

Qyteti, sipas përllogaritjeve, po zhytet me 25 centimetra në vit në disa zona, dyfishi i mesatares globale për qytetet e mëdha bregdetare.

Xhakarta kthehet kështu në një nga qytetet që po mbytet më shpejt në botë dhe koha për të po mbaron shumë më shpejt nga sa mund të imagjinohet.