Një fermeri kosovar i cili e kishte bërë kërkesën për subvencione prej 30 mijë eurove në qeveri, i vjen donacioni prej 300 mijë eurove nga një kompani e fuqishme ndërkombëtare. Me të shkuar në qeveri për tërheqjen e donacionit, ministri përkatës e kushtëzon fermerin për firmosjen e një dokumenti, “nënshkruaje këtë letër, i merrë menjëherë 100 mijë euro, të tjerat mbetën në qeveri”!

Kjo ishte një histori e shkurtër në mesin e qindra e mijëra rasteve të abuzimit, që pushtetarët i vjelin nga donacionet e jashtme. Të mos flasim çfarë bëhet me investimet milionëshe, tenderët qindra milionësh dhe autostradat miliardëshe nga të cilat u pasuruan klasa politike e pasluftës.
Bazuar në praktikat e deritanishme të qeverisjes me vendin, të gjitha partitë politike po e dëshmojnë se asnjëra prej tyre nuk janë shtetndërtuese, por zhvatëse dhe shtetrrënuese.
Të gjitha partitë politike janë bërë të njëjta dhe të inkriminuara thellë me nëntokën kriminale që po e udhëheq këtë shtet. Si produkt i kësaj, të gjithë liderët partiakë pa dallim pushtet dhe opozitë janë bërë milionerë.
Pavarësisht proceseve zgjedhore, po kemi vetëm rrotacion pushteti, gjegjësisht të bërjes bashk në pushtet të milionerëve, të kundërshtarëve të deridjeshëm politikë.
Përgjatë këtyre 20 viteve është dëshmuar se partitë politike derisa janë të ndara në pozitë dhe opozitë e shajnë dhe akuzojnë njëra-tjetrën, ndërsa në momentin e bërjes bashk në pushtet i thurin lavde njëjra-tjetrës, duke mos u ditur më cili është kapësi e cili shkapësi i shtetit.
Përderisa në secilin shtet demokratik, opozita e mbron shtetin dhe mbanë balancin politik duke korrektuar njëkohësisht gabimet e partive në pushtet, tek ne ka ndodhur e kundërta, opozita disa herë e ka rrezikuar shtetin për marrjen e pushtetit.

VETTING-u, imperativ i ngutshëm kohor

Edhe përkundër rritjes enorme të korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjegjësisht aferave të njëpanjëshme korruptive dhe kriminale, të abuzimit të vazhdueshëm me buxhetin e shtetit nga ana e pushtetarëve, sistemi i kapur i drejtësisë vazhdon të heshtë përballë zhvatjes së orkestruar të buxhetit të shtetit!
Në situatën e krijuar të mos funksionimit të sistemit të drejtësisë, shtrohet nevoja e aplikimit të një VETTING-u ndërkombëtar
Sa më shumë të zgjatë aplikimi i procesit të VETTING-ut në Kosovë, aq më e vështirë dhe e komplikuar do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në Kosovën e kapur nga mafia politike dhe oligarkët ekonomik, duhet aplikuar një sistem i zgjeruar dhe i kombinuar i VETTING-ut. Pasi në Kosovë nuk ka institucion shtetëror dhe publik që nuk është i korruptuar dhe i kriminalizuar deri në fyt.
Megjithatë sistemi politik dhe ai i drejtësisë, janë dy hallkat më rënduara nga krimi i organizuar, në të cilat kërkohet ndërhyrje urgjente, për t’i hapur rrugë VETTING-ut në fushat tjera.
VETTING-u do të jetë i pa mundur pa pjesëmarrjen e drejtëpërdrejtë edhe të qytetarëve në procesin e pastrimit të skenës politike përmes proceseve zgjedhore.

Vetëdija qytetare, përcaktuese e rezultatit zgjedhor

Me zgjuarsinë e qytetarëve në procesin e parakohshëm zgjedhor, mund të bëhet një hap i madh në pastrimin e skenën politike, si parakusht i domosdoshëm për pastrimin e sistemin të kalbur të drejtësisë.
Për shkak të mos interesimit të qytetarëve për ndryshime dhe mungesës së aplikimit të VETTING-ut, Kosova rrezikon që në legjislaturën e ardhshme të ketë akoma më shumë deputet të kriminalizuar dhe korruptuar se më parë.
Bandat partiake në pushtet dhe opozitë, të bindur në votën e klientelave të tyre partiake, në psikologjinë e qytetarëve të vendit e kanë futë largimin nga vendi si të vetmin shpëtim e jo ndryshimin, si kusht për ruajtjen e vazhdimësisë në kapjen e shtetit, të bindur se shkapja e shtetit nuk mund të ndodhë pa angazhimin e të gjithë qytetarëve të vendit, ndërsa ky ndryshim po bëhet gjithnjë e më i pamundur nga zvogëlimi i popullatës si rezultat i ikjes masive të qytetarëve jashtë vendit.
Pa krijimin e një alternative të re e të mirëfillt politike, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të gjenden njerëz që me protesta të përmbysin këta pushtetar dhe këtë klasë politike që i sollën izolimin më të tmerrshëm qytatarëve të Kosovës.
Nismat e fundit politike nuk paraqesin asnjë lloj shprese për ndryshim, shkaku i kapaciteteve të limituara intelektuale, mungesës së vizionit dhe mos transparencës së veprimeve të tyre.
Zgjedhjet e parakohshme do të jenë sfidë e radhës e qytetarëve. Pra, në këto zgjedhje do të kemi përballje të vetëdijes qytetare me injorancën, të djeshmës së kriminalizuar me të ardhmen.
Zgjedhjet do të jenë një barometër i emancipimit kulturor dhe pjekurisë politike të shoqërisë kosovare. Nga zgjedhjet e parakohshme do të shihet qartë se a dëshirojnë qytetarët ndryshimin apo jo, do të përcaktohet qartë se a e meritojnë liberalizimin apo izolimin ndërkombëtar.
Këtë shkrimi dëshirojë ta përmbylli me thënjën italiane: “Ogni paese ha il governo che si merita”, që në shqip i bie: “Secili vend e ka qeverinë që e meriton”!