Kina ka dënuar përleshjet e dhunshme në protestat e Hong Kongut, duke i cilësuar ato si “të afërta me terrorizmin”.
Këto deklarata kanë treguar ashpërsim të retorikës kineze ndaj protestave.
Pas disa ditëve të protestave paqësore në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kongut, përleshjet me policinë kanë nisur në mbëmjen e së martës.
Kjo njëherësh është hera e dytë që zyrtarët kinezë kanë përshkruar protestat si të ngjashme me aktivitete terroriste.
Disa vëzhgues besojnë se përsëritja e një retorike të tillë tregon se Kina është duke humbur durimin ndaj protestuesve dhe mund të rritet intervenimi nga Pekini.
Megjithatë, shumë analistë besojnë se në këtë shkallë, intervenimi ushtarak nuk ka shumë mundësi të ndodhë.
Hong Kongu, ish-koloni britanike ka status special, pasi konsiderohet territor i Kinës, mirëpo funksionon sipas organizimit “një shtet-dy sisteme”.
Megjithatë shumë aktivistë tani besojnë se demokracia e këtij vendi, nën udhëheqësinë aktuale të Kinës, është nën rrezik.
Miliona banorë të Hong Kongut kanë marrë pjesë në protestat kundër qeverisë që po zhvillon për 10 javë me radhë.
Ato fillimisht kanë nisur si shprehje e pakënaqësisë ndaj një projektligji për ekstradim, i cili është pezulluar, mirëpo kërkesat e protestuesve ndërkohë janë rritur.
Në protesën e fundit, ata kanë “pushtuar” aeroportin, duke rezultuar me pezullim të fluturimeve për dy ditë.