Ballina Bota Ministrja gjermane e Mjedisit bën thirrje për ndalimin e qeseve plastike

Ministrja gjermane e Mjedisit bën thirrje për ndalimin e qeseve plastike

Ministrja e Mjedisit planifikon ligj të ri për ndalimin e qeseve plastike dhe pakësimin e paketimeve plastike. Ministrja thotë, se ka pasur një rënie prej 64% të përdorimit të qeseve plastike që nga viti 2015.

Ministrja Svenja Schulze duke bërë publike planet e ministrisë që ajo drejton nënvizoi të dielën (11.08) në Berlin: “Ministria ime do të ndërmarrë hapat e saj për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike”. Politikania socialdemokrate nuk përmendi një afat konkret kohor. Ajo tha se qëllimi është të “shkëputemi nga shoqëria e shpërdorimit dhe që në përgjithësi të përdorim më pak plastikë”.

Një marrëveshje e arritur me bizneset në vitin 2016 tashmë ka qenë e suksesshme në uljen e konsumit të qeseve plastike. Në shumë dyqane, konsumatorët tani duhet të paguajnë për qesen plastike. Sipas Ministrisë së Mjedisit, ka pasur një rënie prej 64% në përdorimin e qeseve plastike që nga 2015.

Qeset plastike përbëjnë vetëm 1% të paketimeve plastike të mallrave të konsumit. Schulze gjithashtu dëshiron të arrijë një marrëveshje me bizneset për të zvogëluar paketimet plastike për frutat dhe perimet.

CDU për pakësim vullnetarisht të përdorimit të plastikës

Annegret Kramp-Karrenbauer, kryetarja e Partisë Kristiandemokrate (CDU) që bashkëqeveris me socialdemokratët (SPD), tha se ajo preferon të fillojë me zvogëlimin vullnetarisht të përdorimit të qeseve plastike. “Nëse kjo nuk funksionon, atëherë mund të flasim për ndalime,” tha ajo.

Në një shkrim në gazetën Welt am Sonntag, Kramp-Karrenbauer vuri në dukje se do të paraqesë politikat, të cilat do të jenë “me risi, me optimizëm”. Ajo gjithashtu propozoi një stimul për heqjen nga përdorimi të ngrohjes me naftë dhe përfshirjen e zhvillimit të qendrueshëm në kushtetutën e Gjermanisë. CDU po punon në finalizimin e politikës së saj të re për mbrojtjen e klimës dhe planifikon përmbushjen e objektivave të Gjermanisë për klimën deri në shtator të vitit 2030.

Propozimi për të ndaluar qeset plastike nga përdorimi vjen pasi socialdemokratët dhe CDU-ja e kanë kuptuar që injorimi prej tyre i temave të mjedisit që ka ngritur vazhdimisht partia ekologjike “Të Gjelbërit”,  ka çuar në rritjen e mbështetjes ndaj kësaj partie duke e ndryshuar raportin e forcave politike në vend.

Bashkimi Evropian tashmë ka avancuar me politikat për ndalimin e sendeve plastike për një përdorim të vetëm si pipat, pirunët, lugët e thikat duke filluar nga viti 2021.

 

cw/cmk (dpa, epd, Reuters)