Në Shtetet e Bashkuara, Sekretari në detyrë i Sigurisë Kombëtare i doli të dielën në mbrojtje bastisjeve në komplekset e përpunimit të ushqimit në Misisipi në kërkim të qindra imigrantëve pa dokumente, por pranoi se “momenti i zgjedhur ishte i papërshtatshëm”, vetëm pak ditë pasi një person i armatosur vrau 22 Hispanikë në një sulm në El Paso të Teksasit.
Kevin McAleenan i tha emisionit Meet the Press të NBC-së se nga 680 imigrantët e arrestuar gjatë bastisjeve sulmeve në pesë kompani, 200 kishin të shkuar kriminale dhe do të deportohen në vendet e tyre.
Kamerat regjistruan fëmijë duke qarë kur e kuptuan se prindërit ishin ndaluar dhe nuk do t’i merrnin pas mësimit në ditën e parë të shkollës. Por McAleenan tha se bastisjet ishin “bërë me ndjeshmëri” dhe se ishte marrë në konsideratë kujdesi për fëmijët.
Ai tha se 32 nga imigrantët e arrestuar u lanë të lirë brenda një ore pasi u ndaluan dhe 270 brenda një dite, në shumicën e rasteve për shkak të shqetësimeve për kujdesin e fëmijëve.
Një politikë në agjencinë e Imigracionit dhe Doganave, parashikon që të ndiqen penalisht kompanitë që me vetëdije punësojnë imigrantë pa dokumente para se të arrestojnë punëtorët e tyre imigrantë. Por zoti McAleenan iu shmang pyetjes se u mbajtën përgjegjës punëtorët, jo kompanitë.
Ai tha se “sigurisht” kompanitë kishin kryer një krim.
“Ky rast do të ndiqet,” tha ai.
Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris i tha NBC-së, “Nuk e kuptoj pse bënë atë që bënë. Punëdhënësit duhet të jenë përgjegjës.” Ajo akuzoi administratën e Presidentit Donald Trump për një “fushatë terroriste” kundër emigrantëve, “duke i bërë njerëzit të kenë frikë të shkojnë në punë, të shkojnë në shkollë”.
McAleenan tha se sulmet ishin planifikuar prej një viti.