Në Gjermani prodhohet mish me çmim shumë të ulët. Pas një propozimi të politikës për tatim më të lartë të mishit, ka shpërthyer debati. Po pse prodhohet mish me çmim kaq të lirë në këtë vend?
Verë dhe si gjithmonë nuk mungon mishi i pjekur në zgarë në tavolinat familjare. Këtë e di industria e prodhimit të mishit në Gjermani dhe e ofron atë në masë të madhe. I prerë fileto, i përpunuar në sallam, i grirë, me copa: Në frigoriferët e supermarketeve gjermanë e gjen mishin në stiva. Madje me çmime shumë të lira. Tek supermarketi me çmime të ulta Aldi ofrohet këtë javë një biftek i cilësisë së mirë 500 gram për 7 euro. Akoma më pak kushton sallami për pjekje me mish derri, një kilogram për 3,7 euro.
Një ofertë e veçantë? Jo. Mishi në Gjermani bën pjesë tek produktet që ofrohet me çmim të lirë në të gjitha supermarketet. Kjo nuk ka të bëjë me atë që mishi, ashtu si buka, frutat dhe perimet kategorizohen si ushqime bazë dhe janë të mbuluar me një tatim tvsh-je prej 7% në vend të 19% -tatimi normal për produktet e tjera.
Një biznes miliardësh
Çmimi i lirë ka të bëjë me një fakt tjetër – me prodhimin me leverdi dhe në masë të madhe të mishit në Gjermani, një degë e rëndësishme ekonomike. 25 koncernet më të mëdha të mishit bënë një xhiro vjetore prej 27 miliardë eurosh vitin e kaluar. Megjithëse Gjermania eksporton mish, në vend mbetet një superofertë në treg.
Faktor tjetër janë punëtorët jo të paguar mirë në fermat e kultivimit apo në thertore. Kafshët mbahen në mënyrë industriale në stalla gjigande, pa hapësirë, dhe pa mundësi lëvizjeje e dalje në ajër të pastër. Ato ushqehen në mënyrë të atillë që të arrijnë sa më shpejt peshën e kërkuar.
Rregullat në Gjermani më të përthyeshme
Edhe në Gjermani është në fuqi ligji për mbrojtjen e kafshëve. Por Martin Hofstetter nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Greenpeace” e kritikon Gjermaninë për rregulla më të përthyeshme. Fermerët në BE duhet t’u lenë më shumë hapësirë derrave në stalla se fermerët në Gjermani. Edhe kriteret për kontrollin e plehut, apo përdorimit të ilaçeve dhe antibiotikëve janë më të forta në vende të tjera të BE. “Ky zhvillim ka qenë i dëshiruar nga politika, me qëllim që Gjermania të bëhet kampion bote në eksportin e mishit me çmim të lirë”, thotë ai.
Ka pasur një kohë, kur të haje mish në Gjermani ishte shenjë e mirëqenies. “Mishi i pjekur i të dielës” – është një traditë e vjetër në Gjermani dhe simbolizonte diçka të veçantë për familjen. Nga viti 1961 deri në vitin 2011 konsumi i mishit u rrit nga 64 kg për person në 90 kg në vit. Tani ai ka rënë, aktualisht në 60 kg. Sipas Organizatës Botërore të Ushqimit, FAO, konsumi i mishit në botë kap mesatarisht 50 kg mish për person. Sipas Zyrës Federale të Statistikave në Gjermani në këtë gjashtëmujor janë përdorur për konsum mishi 29,4 milionë derra, lopë dhe dhi duke u përpunuar në 3,9 milionë tonë mish. Një vlerë shumë e lartë po ta krahasosh në shkallë ndërkombëtare.
A mundet të jetë mishi më i shtrenjtë në Gjermani?
Shumë gjermanë nuk e shohin me sy të mirë prodhimin e një mase kaq të madhe mishi, sidomos kur përballen me pamjet e kafshëve që mbahen në kushte torturuese. Megjithatë kur shkojnë në supermarket, shumica blen mishin e lirë dhe jo atë organik apo me simbolin e mirëmbajtjes së kafshëve, që kushton më shtrenjtë. A do të ndryshonte kjo, nëse mishi do të bëhej në tërësi më i shtrenjtë? Disa politikanë, por edhe aktivistët e mbrojtjes së kafshëve kanë propozuar, që të rritet tvsh-ja për mishin, nga tatimi 7% në 19%. Të ardhurat të përdoreshin pastaj për kushtet e mirëmbajtjes së kafshëve, si psh rikonstruksionin e stallave.
Kritikët janë kundër rritjes së tatimit, kjo për shkaqe sociale. Çmimi do të rritej njësoj për të gjithë qytetarët, pavarësisht të ardhurave, e për familjet gjermane me të ardhura të ulëta, rritja e çmimit do ta boshatiste më shpejt kuletën e tyre.
Politikanja e gjelbër, Renate Künast e sheh zgjidhjen jo tek rritja e tatimit mbi mishin, por tek stimujt tatimorë për prodhuesit e mishit. “Ne subvencionojmë mbajtjen masive të kafshëve me para tatimesh të fituara hidhur”, thotë ajo për gazetën Rheinische Post. Në të vërtetë mishi me çmim të lirë është shumë më i shtrenjtë, sepse duhet të llogarisim edhe pasojat që ka mbajtja masive e kafshëve në stalla. Koston e klimës për shkak të numrit të lartë të kafshëve, koston shëndetësore për dëmet në shëndetin e njeriut nga përdorimi i shumë antibiotikëve tek kafshët, rritja e çmimit të ujit për shkak të pastrimit të tij nga rritja e nitratit në ujërat nëntokësore. “Ky do të ishte krahasimi i ndershëm për mishin ekologjik”, thotë Künast.