Një ditë pasi Shtetet e Bashkuara vëndosën embargo të plotë ekonomike ndaj Venezuelës, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton thotë se Uashingtoni tani mund të vërë sanksione ndaj të gjithë atyre që mbështesin qeverinë e Maduros. Qeveria e Maduros i denoi sanksionet si “agresion i rëndë” që do të çojë në “dështimin e dialogut politik”. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Cindy Saine sjell më shumë hollësi nga Departamenti i Shtetit.
Gjatë një takimi për Venezuelën në Lima të Perusë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha se kushdo që bën biznes me qeverinë e Maduros duhet të tregohet shumë i kujdesshëm sepse Uashingtoni është i gatshëm të vërë sanksione ndaj tyre.
“Sanksionet mbulojnë çdo gjë që ka të bëjë me qeverinë e Venezuelës, çdo aspekt të saj, dhe ndoshta edhe më e rëndësishmja, ka autoritet për të vënë sanksione ndaj të gjithë atyre që bashkëpunojnë, ndihmojnë apo mbështesin ndonjë element të qeverisë së Venezuelës. Këtu përfshihet çdo entitet i huaj, qeveri, korporatë apo individ që kontribuon në mbajtjen në fuqi të regjimit të Maduros.”
Zoti Bolton u bëri thirrje udhëheqësve botërorë në takim që të ndërmarrin veprime më të ashpra për rrëzimin e Maduros, për të cilin tha se duke pretenduar të negociojë në mirëbersim ai po përpieqet të fitojë kohë ndërsa populli i tij vuan.
Juan Guaido, udhëheqësi i opozitës i cili njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe mbi 50 shtete të tjera si presidenti legjitim i Venezuelës, i mirëpriti masat e ashpra.
Por qeveria e Venezuelës i dënoi ato duke i quajtur si agresion të rëndë që do të çojë në dështimin e dialogut politik.
Qeveria e Maduros tha se embargoja e re amerikane ka për qëllim, siç u shpreh: “të zyrtarizojë bllokadën kriminalo ekonomike, financiare dhe komerciale të Venezuelës dhe mbysë popullsinë e saj.
Zoti Bolton u përpoq të qetësonte kritikës e masave të reja duke thënë se ka përjashtime për furinizimet me ushqime, ilaçe dhe veshmbathje për popullin e Venezuelës.
Rreth 4 milion migrantë dhe refugjatë kanë lënë Venezuelën si rezultat i mungesës së ushqimit, eksodi më i madh në historinë e viteve të fundit në Amerikën Latine dhe Karaibe.