Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thirrur për të hënën (5 gusht 2019) mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku pikë e rendit të ditës do të jetë përgatitja e seancës për shpërbërjen e Kuvendit.
Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Vendimi i Veselit, vjen disa orë pasi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një shkrese zyrtare, ka kërkuar nga bartësi i koalicionit fitues (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate ), i zgjedhjeve të fundit, Kadri Veseli, që të propozojë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Por, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka kthyer përgjigje presidentit Thaçi, duke i thënë se nuk do të ketë mandatar të ri.
“Si udhëheqës i koalicionit PAN, i kam kthyer përgjigje Presidentit të Republikës së Kosovës dhe e kam njoftuar se nuk do të ketë mandatar tjetër.
Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës”, ka thënë Veseli, në përgjigjen dërguar presidentit Hashim Thaçi.
Diskutimet për formimin e qeverisë së re kanë ardhur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, meqë është ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.