Premier League po i afrohet mbylljes së merkatos së verës, në datën 8 gusht. Ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e fundit, skenën nuk e ka dominuar Premier League, por La Liga.
Siç bën të ditur “Marca”, shpenzimet e Real Madrid (303 milionë euro), Atlético Madrid (243,5 milionë), Barcelona (237 milionë) dhe Siviglia (124 milionë) e kanë bërë La Liga të arrijë, për momentin, kuotën 1,172 miliardë euro. Kjo shifër kapërcen shpenzimet e Premier League, e cila ndalet në shifrën 872 milionë euro, ndjekur nga Seria A, në kuotën 864 milionë euro.
Megjithatë, mund të ketë zhvillime në blerje të bujshme në ditët e fundit. Ndërkohë, shtatë klube angleze kanë thyer rekord shpenzimesh në historinë e tyre. bëhet fjalë për Aston Villa, Newcastle, Sheffield United, Tottenham, West Ham, Leicester dhe Wolverhampton.
Klubi i Birmingham ka blerë Wesley nga skuadra belge Bruges për 25 milionë euro. Bëhet fjalë veç për majën e ajsbergut, duke marrë në konsideratë që “Villans” kanë shpenzuar 128 milionë euro në treg. Edhe Sheffield United, që rikthehet në Premier League pas 12 vitesh, ka bërë tre blerjet më të kushtueshme në historinë e tij: Mousset (Bournemouth, 11 milionë), Robinson (Preston, 8 milionë) dhe Freeman (QPR, 6 milionë).
Newcastle ka thyer rekordin e vet, duke blerë lojtarin brazilian Joelinton nga Hoffenheim për 44 milionë. Wolverhampton ka blerë sulmuesin meksikan Raúl Jiménez (nga Benfica) për 38 milionë, ndërsa Leicester zyrtarizoi transferimin e Tielemans (nga Monaco) për 45 milionë në korrik (mesfushori kishte ardhur në huazim në janar 2019). West Ham ka blerë sulmuesin francez Sébastien Haller për 40 milionë euro, ndërsa Tottenham bën bujë në merkaton e verës me blerjen e mesfushorit Tanguy Ndombele nga Lioni për 60 milionë euro.