Kina i dënoi protestat e fundit anti-qeveritare në Hong Kong, duke i cilësuar si “incidente të tmerrshme” që, siç tha, kanë shkaktuar “dëme serioze për sundimin e ligjit”.
Një zëdhënëse e Këshillit Shtetëror të Republikës së Kinës tha se prioritet kryesor i Hong Kongut duhet të jetë “rivendosja e rendit shoqëror”.
“Ne po ashtu besojmë se prioritet i Hong Kongut duhet të jetë dënimi i këtyre veprimeve të dhunshme dhe të paligjshme”, tha Xu Luying.
Në fundjavë, në Hong Kong, u mbajt protesta e tetë me radhë kundër qeverisë.
Protestuesit u përleshen me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome kundër tyre.
Protestat filluan muaj më parë, kur Qeveria e Hong Kongut paraqiti një projekt-ligj që do të mundësonte ekstradimet në Kinë.
Sipas kritikëve, ky ligj do t’i dëmtonte liritë e Hong Kongut dhe do të përdorej kundër aktivistëve politikë.
Edhe pse ligji u pezullua, protestat u intensifikuan, pasi policia u akuzua për përdorim të forcës së tepruar kundër protestuesve.
Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës, por nën marrëveshjen “një shtet, dy sisteme”, që i garanton një nivel autonomie.
Edhe pse autoritetet në Pekin i kanë dënuar disa herë protestat dhe kanë përsëritur mbështetjen e tyre për Qeverinë e Hong Kongut, reagimi i së hënës shihet si përcjellje e pikëpamjeve të udhëheqjes së lartë të Kinës.
Claudia Mo, një ligjvënëse e Hong Kongut që e mbështet lëvizjen e protestës, tha se komentet e fundit të Pekinit mund të provokojnë trazira të mëtejshme.