Papa Françesku ka kërkuar veprime të shpejta nga qeveritë, në mënyrë që të mos vdesin më shumë migrantë në det.

Papa Françesku u lut sot për migrantët, teksa besohet se 150 migrantë kanë humbur jetën javën e kaluar në Detin Mesdhe, pasi anija me të cilin udhëtonin, u fundos në afërsi të brigjeve të Libisë.

Papa u bëri thirrje shteteve që të “veprojnë shpejt që të shmanget përsëritja e tragjedive të ngjashme dhe të garantohet siguria dhe dinjiteti i të gjithëve”.

Thirrja e Papa Françeskut ndaj komunitetit ndërkombëtar vjen vetëm disa orë pasi garda bregdetare italiane, solli në portin e Sicilisë 130 migrantë të shpëtuar në det. Megjithatë, Italia nuk do të lejojë që migrantët të shkelin në tokën e saj, derisa shtetet tjera të pajtohen që t’i pranojnë migrantët.