Një valë e re emigracioni që përfshin të arsimuarit po përforcohet këtë vit, si pasojë e dekurajimit nga zhvillimet e brendshme dhe lehtësive të emigracionit nga Gjermania. 

Përkeqësimi i kushteve të demokracisë, zgjerimi i zotërimeve të krimit, korrupsioni i lartë, rritja e ngadaltë ekonomike dhe kushteve e këqija social-ekonomike të ndërthurura me perspektivat në rënie, pritet të nxisin një valë të re emigracioni këtë vit. Një studim i fundit i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale gjeti se 70% e të rinjve që studiojnë në universitetet shqiptare kanë për qëllim të largohen nga vendi. Profili i ri i emigracionit pas liberalizimit të vizave ka përfshirë të gjitha grupmoshat e popullsisë, në të gjitha qytetet e vendit, duke e çuar drejt zbrazjes së shpejtë, por së fundmi, stafet e mirëkualifikuara që punojnë në kompani me vlerë të shtuar dhe paga të larta.

Një anketë që po kryhet aktualisht në këtë kategori gjeti se, tre punonjës në pozicione drejtuese në industrinë bankare kanë dhënë dorëheqjen, për arsye emigrimi. Ata po e ndërmarrin këtë nismë për një perspektivë më të mirë për fëmijët e tyre, për shkak të ajrit të ndotur në Tiranë dhe mungesës së cilësisë në arsim. Profesor Ilir Gëdeshi, i cili po udhëheq këtë anketë, pohon se gjetjet e para tregojnë se vala e re e emigracionit ndër njerëzit me aftësi të larta nuk kanë të bëjnë me ekonominë, por me rrethanat të cilat janë rënduar ndër vite dhe nuk kanë shpresë të përmirësohen së paku në afat të shkurtër. Një paketë e re ligjore, e jetësuar së fundmi nga Gjermania, e cila lehtëson më tej kushtet e migrimit, pritet të nxisë emigracionin këtë vjeshtë.

 

Të dhënat tregojnë se ritmi i ikjeve nga shqiptarët është më i larti në botë, në raport me popullsinë, edhe në raport me vendet e luftës, ndonëse Shqipëria është një vend në paqe dhe që po punon prej vitesh të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duke u renditur në listën e vendeve të sigurta. Të dhënat e Eurostat tregojnë se rreth 19 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2018, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

 

Shqiptarët renditen në vend të nëntë për nga numri i azilkërkuesve në vlerë absolute, pas Sirisë, Afganistanit, Irakut, Pakistanit, Iranit, Nigerisë, Turqisë, Venezuelës. Në vend të parë, në vlerë absolute, është Iraku, me rreth 81 mijë aplikime. Por, në raport me popullsinë, shqiptarët vijojnë të duan të ikin më shumë se kushdo tjetër, edhe se vendet që janë në gjendje lufte. “Monitor” ka përpunuar të dhënat për numrin e azilantëve shqiptarë për 1,000 banorë, ku rezulton se në vitin 2018, për çdo 1,000 banorë aplikuan 6.6 persona, duke u renditur të parët në botë për nga numri i aplikimeve për azilantë në raport me popullsinë.

 

Biznesit i ikën fuqia punëtore

Me këtë filozofi të trajtimit të problemit, bizneset shqiptare janë lënë krejtësisht të pambrojtura, teksa mungesa e fuqisë punëtore në shumicën prej tyre u shndërrua në shqetësimin kryesor për vitin 2019. Në një rrafsh më të gjerë, industria e turizmit po vuan momentalisht për shkak të sezonalitetit në të cilin ndodhet. Për një kompani që kërkon kualifikim të lartë, hendeku që krijon emigracioni nuk riparohet me një pagë më të lartë. “Përmirësimi i kushteve të tjera, që lidhen me mjedisin, me infrastrukturën e shkollimit, shëndetit, mjedisit dhe zbatimit të ligjit” kërkojnë kohë thotë profesor Gëdeshi.

Tendenca e re e emigracionit zhvendoset tek të arsimuarit

Në dekadën e fundit ka një përmbysje të tendencës për emigrim, ku vala e të ikurve është zhvendosur nga të pashkolluarit tek ata me edukim. Profesor Gëdeshi, i cili ka udhëhequr dy anketa mbi potencialin e emigrimit, njërën në vitin 2017 dhe tjetrën në vitin 2018, ka vënë re tendencën në rritje të emigrimit të personave të arsimuar. Të dhënat e anketës të vitit 2007 tregonin se sa më i ulët ishte niveli arsimor, aq më e lartë ishte dëshira për migrim. Kjo shpjegohej me faktin se njerëzit e paarsimuar dhe të pakualifikuar ishin të papunë ose kishin vështirësi në gjetjen e një pune në Shqipëri dhe dëshironin të migronin (kryesisht në Itali dhe Greqi).

Dekadën e fundit ka një lidhje më të fortë midis edukimit dhe dëshirës për emigrim. Të dhënat e anketës sonë tregojnë se migrimi potencial është më i lartë për personat me edukim profesional, terciar dhe sekondar. Ky fakt, nga njëra anë, shpjegohet me mundësitë më të mëdha të punësimit në Gjermani, në vendet e zhvilluara të BE dhe në Amerikën e Veriut. Në kushtet kur konkurrenca globale po rritet, vendet e zhvilluara rrisin gjithnjë e më shumë kërkesën për persona të kualifikuar. Këtij interesi i përgjigjet pakënaqësia, mundësitë e pakta dhe kushtet e punës në Shqipëri./Monitor