Lajmi që iu shpërnda tokës e qiellit
Edhe mbarë botës iu pat dhënë
Se dardanët kurrë më,nuk durojnë këmbë serbi
Aty ku bukës-Bukë dhe ujit-Ujë i kanë thënë
E sapo kushtrimi arbëror mori dheun
Se edhe një luftë po niste Dardania
Trimat me silueta Mic Sokolash
Zbritën me madhështi nga Malësia
Njëri prej djemve më sypatrembur
Që luftës ndër të parët, iu përgjigj si luani
Ishte pasardhësi i denjë i heroit Mic Sokoli
Ushtari i tri luftërave të kombit,trim Bylbyl Breçani
Në zemër të shqipes kudo që kërciste pushka
Bilbili aty ku u vendos, nuk e lëshoi më pritën
Ai jo vetëm që dëshmoi se si qëndrohet në fronte lufte
Por u bë shembull edhe si duhet thyer serbëve ekspeditën
Kur betejat çlirimtare sa vinin e zgjeroheshin
Në Dardani, këto dhena tonat të vjetra biblike
Djemtë e Sylë Vokshit, Bacë Bajramit dhe Isë Buletinit
Qëndresën arbërore për liri, e bënin edhe më heroike
Bilbili-legjendë i mbështjellë me lavdi
I cili edhe luftës iu bashkua ndër të parët
Erdhi dhe ra burrërisht,për të mos vdekur kurrë
Siç e kanë traditë të përjetësohen vetëm shqiptarët
Për trojet dhe gjakun që nuk shitet as falet
Bilbil trimi, lirinë në ballë e kishte të shkruar
Ai siç iu përgjigj trimërisht kushtrimit të kryengritjes
Edhe u flijua heroikisht, për çlirimin e tokës tonë të bekuar
Kudo që luftuan Tahir Sinani e Bilbil Breçani
Dhe djemtë tjerë të ardhur vullnetar nga Malësia
Faktet flasin se andej kurrë më nuk shkeli këmbë serbi
Por u çlirua vendi dhe vendos përgjithmonë liria
Ishin vite ato kur as pranverat nuk çelnin lule
Vetëm tradhtarët ende stërkeqeshin nëpër kolltuqe
Përderisa Bilbilët e lirisë gjithandej tokave të Kosovës
Edhe borën e dimrit nëpër istikame,e bënin të kuqe
UÇK okupatorin serb e shënonte me grykë pushke
Ndërsa NATO- nga ajri u hidhte mijëra bomba turinjve
Liria që po afronte sfidohej ende me sakrifica të mëdha
Kur Serbia mbi një milion shqipe, i dëboi jashtë kufijve
Kështu që Tahir Sinani e Bilbil Breçani me shokë
Të cilët Dardanisë i erdhën në ndihmë nga Malësia e mirë
Flijuan si burrat, dijen, trimërinë dhe jetën e tyre për këtë tokë
Në mënyrë që edhe vëllezërit dardan të jetonin në Kosovën e lirë
Ndaj nuk vonoi shumë e një ditë erdhi liria
Dhe marshimi i çlirimtarëve dëgjohej nga larg
Pasardhësit e dardanëve trima me këngën e Bilbil Breçanit në gojë
Ktheheshin nga lufta, duke lidhur fitoret e lavdisë së shekujve, në varg
Bilbil Breçani edhe në Kosharen legjendare
Dëshmoi me trimërinë e tij, si asnjë tjetër
Se çdo të thotë të jesh ushtar i kombit
Dhe nip i heroit Mic Sokoli nga Malësi e vjetër
Me luftë ai nderoi atdheun, vendlindjen dhe familjen
Bujanin historik, Binak Alinë, farefisin dhe të gjithë heronjtë në Malësi
E me trimërinë dhe sakrificën për vëllezërit e gjuhës dhe të gjakut dardano-ilir
Hero Bylbyl Breçani u shndërrua në legjendë dhe mbështoll përgjithmonë me Lavdi!
Gani Qarri