Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe rezultati i tij është “bërthamë e përparimit” të rajonit në rrugën e integrimit evropian, tha komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.

Duke folur në Beograd, në një konferencë të përbashkët për gazetarë me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, Hahn tha se e ardhmja evropiane e Serbisë qëndron në normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe se ky normalizim do të vazhdojë të mbështetet nga BE-ja.

Hahn tha se në vitin 2018 ka pasur përparime të rëndësishëme, porse mund të bëhej edhe më shumë.

Ai lavdëroi hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, por tha se Serbia ka ende sfida përpara.

“Në pranverë të vitit 2020 do të duhet të mbahen zgjedhjet. Jeni të thirrur t’i respektoni rekomandimet”, tha Hahn.

Kryeministrja e Serbisë, Bërnabiq, tha se vendi i saj mbetet sinqerisht i përkushtuar për rrugën evropiane.

“E kuptojmë se në ç’moment është BE-ja dhe sfidat me të cilat përballet, por e kuptojmë edhe atë që duhet të bëjmë ne për t’u bërë Serbi evropiane. Nuk bëjmë reforma sa për t’i përmbushur kushtet, por punojmë sinqerisht në to”, tha Bërnabiq.

Ajo theksoi se ky është viti i parë kur “bashkëpunimi rajonal ndodhet në rënie”.

“Shkak është taksa që ka ndërmarrë Prishtina (ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia) dhe pezullimi i CEFTA-s (marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën qendrore). Nuk ka një Serbi të qëndrueshme, të fortë dhe konkurruese pa një rajon të qëndrueshëm, të fortë dhe konkurrues”, tha Bërnabiq.

Sipas saj, Serbia po punon në baza ditore për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.

Hahn arriti në Beograd të enjten në mbrëmje, kur edhe u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ata biseduan për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe për “hapat e ardhshëm të Serbisë në rrugën evropiane”, u tha në një njoftim të Presidencës së Serbisë.

Sipas të njëjtit, Vuçiq dhe Hahn shqyrtuan në mënyrë të veçantë ngecjen në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe situatën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, ndaj së cilës, siç tha Vuçiq, Serbia “reagoi me qetësi dhe përgjegjësi”.

Vuçiq e falënderoi Hahnin për angazhimin në “zhbllokimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës” dhe tha se “Serbia është e përkushtuar ndaj politikave të paqes dhe bashkëpunimit për të ruajtur stabilitetin në rajon”.

Hahn e mirëpriti “vendosmërinë e Serbisë” dhe shprehu gatishmërinë e tij për “të ndihmuar në krijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Dy palët kanë ndërprerë dialogun për normalizim marrëdhëniesh qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia.

Pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për heqjen e taksës, Kosova vazhdon ta mbajë në fuqi atë.

Vuçiq e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës.