Ballina Histori NË MALËSINË E GJAKOVËS KISHTE SHUMË BURRA TË MIRË, PO ALI LUSHAJ...

NË MALËSINË E GJAKOVËS KISHTE SHUMË BURRA TË MIRË, PO ALI LUSHAJ RESPEKTOHEJ PREJ TË GJITHËVE – Nga Mehmet DOÇI

Ne 7 vjetorin e ndarjes nga jeta te Ali Mus Lushaj

Aty nga viti 1948 në katundin Kolgecaj po hidheshin kazmat e para për ndertimin e qytetit të ri të Bajram Currit. Nga popullsia vendase, pak kush kishte parë qytet. Kriza ushqimore ishte kudo prezent, kafshata e bukës ishte kudo me grat, por në Kolgecaj po ngriheshin ndërtesat e para shtetërore, me mundim të jashtëzakonshëm e vrull shpirtëror. Neve do bëheshim me qytet, kudo gëzim. Në historinë tonë për herë të parë po organizohej, po ngrihej rrjeti tregtar shtetëror në të gjitha fshatrat e rrethit të Tropojës. Kjo ishte një ndihmesë madhore për popullsinë vendase, mallrat shtetrore u shkonin në vend dhe u bleheshin në dorë produktet bujqësore.

Në vitin 1948 , mbyllja e kufijve shtetëror me Kosovën ishte e egër dhe prerazi. U ndërpre marrëdhënia tregtare shekullore me qytetin e Gjakovës, masë kjo që shkaktoi frikë dhe solli përkeqësim jetese. Ali Lushaj nga Gegajt e Shipshanit, Adem Idriz Doçi nga Tplani i Krasniqes, Idriz Dini nga Paci i Bytyçit, të tre djemë të ri 17-18 vjeçarë, të tre pa shkue ushtarë, të tre nga fise të ndryshme të Malësisë së Gjakovës, pa patur asnjë lidhje familjare ndërveti ishin shitës solidarë në dyqanin e Pacit në Bytyç të Tropojës. Shitnin dhe blenin të tre me paré në dorë dhe kurrë nuk ranë defiçit. Ata nuk i bënë hile njëri-tjetrit, ishin me besë, të sinqertë, që sot pak kush e merr me ménd. Marrëdhëniet e mira të punës mes këtyre djemve u shtrinë ndër vite dhe morën trajtesë familjare, rrugë të gjatë në breza. Atëherë shokët e djalit shikoheshin si “sytë e ballit” dhe i trajtonin më me kujdes, si fëmijët e vet.

Ishte muaji tetor i vitit 1953. Në Kolgecaj ishte ngrit konvikti e shkolla, dy komitetet, dega e punëve të brendshme dhe ndonjë dyqan shit-blerjeje. Kishte një vit që kishte dal rruga e makinës dhe unë për herë të parë këtu pashë makinë, isha 11 vjeç. Shteti ishte me halle, ushqimet ishin me triska, futeshin për një herësh në konvikt rreth 120 fëmijë, ishim nga të gjitha katundet e rrethit dhe pajisen me veshmbathje të reja. Shtrirje dhe masivizim i arsimit.Vjen Ademi – vëllai im dhe Ali Lushaj – shoku i tij. Mezi na gjejnë në atë grumbull fëmijësh. E bëjmë një fotografi. Kjo ishte fotografia ime e parë, kujtim i vyer i jetës time. Fotografia ishte çudi e kohës, pasi vetëm popullsia në moshë e kishte parë veten në letër.

Në Kolgecaj nuk kishte asnjë ndërtesë banimi për familjarët e nëpunësve të lartë. Ata strehoheshin familjarishtë në Kolgecaj dhe fshatrat për rreth tij. Ali Lushaj banonte në katin e tretë të shtëpisë së Mal Miftar Gjongecajt (sot, Hotel Turizmi “Shkëlzeni”). Në vitin 1955 u kishte lind djali, Ramizi, të cilin e kam përkund shpesh herë…

Unë punoja asistent inxhiner në zbulimin e vendburimit të kromit në Rrogam, ishin pesë brigada çpimi, etj… Vazhdoja me korespodencë vitin e tretë në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. Për herë të parë ngrihet seksioni i industrisë. Kishte vetëm dy ndërmarrje, minierën e gjeologjinë. Mua më caktojnë shef i parë i këtij seksioni. Alia u caktua shef i seksionit të ndërtim-komunikacionit. Ishim tri seksione në një zyrë, në afro 10 m katrorë. Alia më merr mua e më cakton në tavolinë kryesore dhe filloi të më japë mësimet e para në këtë detyrë të re…Kjo shkresë është sekrete… tepër sekrete…e zakonshme, etj. E kujtoja Alin me respekt, kur unë i vogël isha ulë pranë prehërit të tij dhe tani që të dy shefa ballëpërballë.

Kur donin me të djegë ta bënin hilen. Aty nga fundi i vitit 1973 e çojnë Alinë mbi një vit kryetar kooperative bujqësore në Dragobi. Gjendje shumë e rënduar e kësaj kooperative, ndaj shkova dhe e takova, e ndihmova me mjete transporti, me investime, ndihmë kjo që u prit jo mirë nga disa zyrtarë të rrethit, ndërsa unë thashë: kjo punë më shton krenarinë, e kam ndihmuar Alinë për tërë bujqësinë e rrethit dhe prapë do ta bëj këtë gabim…

Disa tipare dalluese që hyjnë tek vlerat personale të Ali Mus Lushajt:
-Malësia e Gjakovës kishte me bollëk burra të mirë, por Alia respektohej prej të gjithëve.
-Ai ishte burrë i mirë vet e jo nga frika.
-Kurrë nuk i bëri kujt keq, kishte shpirtin e ndihmës dhe të bashkëpunimit.
-Nuk ishte servil partiak, tip ngjitës, por kudo punëtor dhe i sinqertë.
– Çka kishte për të thënë ta thoshte aty për aty, sy me sy.
-Fjalën e kishte fjalë dhe nuk luante prej saj.
-E kujtoj me respekt kur pasditeve dilte në punë dhe mbaronte punët e ditës pa i
lënë për të nesërmen.
-I thjeshtë me shokët, pa mendje të madhe, i sjellshëm, korrekt në familje dhe në
shoqëri.
-E kujtoj kur dilte në raste festash, i rreshtuar në parakalim mes ish-partizanëve të Brigadës XXV-S, me gjoksin e tij plot dekorata.

Ali Lushaj doli në pension, por punën nuk e ndërpreu. Shkroi e botoi librin e tij “Shipshani i Malësisë së Gjakovës”, që ja ngriti vlerat fisit të vet dhe u ba kontribues i vyer në letërsinë dokumentare të Tropojës.

Ali Lushaj ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Tiranë. Djemtë e tij bënë punë të vyer, që ngjalli respekt mbarëpopullor. Në heshtje ia plotësuen një dëshirë babës të vet. E sollën në Tropojë dhe bashkë me Ne – shokët e punës dhe të afërmit e vendosëm trupin e tij në oborrin e Pallatit të Kulturës. Nga qyteti e të gjitha katundet e rrethit u përcoll me nderime dhe respekte të mëdha. E kujtojmë gjithnjë për mirë emrin e veprimtarinë e tij.