Ballina Aktualitet Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton shprehet se as Kosova dhe...

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton shprehet se as Kosova dhe as Serbia nuk përfitojnë nga “status quoja”

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, tha se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të lëvizin përpara dhe është “koha që të dyja palët të veprojnë menjëherë”.

Ai i bëri komentet e tij në rrjetin social twitter pas takimit me ministrin e Jashtëm serb. Ivica Daçiç. “U pajtuam se bisedimet me Kosovën duhet të lëvizin përpara meqë asnjëra palë nuk fiton nga ‘status-quoja’. Koha për të vepruar për të dyja palët është tani”, shkroi ai.

Ndërsa ministri serb në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, tha se “gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe paqësore për problemin e Kosovës mbetet lartë në listën e përparësive të politikës së jashtme të administratës së presidentin amerikan Donald Trump”, ndërsa, paralajmëroi se muajin e ardhshëm mund të ketë përpjekje të reja amerikane për të siguruar ripërtëritjen e procesit të pezulluar të bisedimeve ndërmjet palëve.

Përpjekje të tilla u paralajmëruan gjatë kësaj jave edhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron gjatë një vizite në Beograd, pas së cilës u tha se shtatori mund të jetë periudhë kur ai do të ftojë në Paris udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, bashkë me kancelarin gjermane, Angela Merkel.

Por, ministri i Jashtëm serb tha se ende është e paqartë nëse do të ndodhë një takim i tillë, sepse askush nuk dëshiron të organizojë një takim nëse nuk priten rezultate prej tij.

Ndihmës Sekretari amerikan, Philip Reeker, tha një ditë më parë se vazhdimi i bisedimeve është rruga e vetme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve dhe se palët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve. “Kam kaluar shumë kohë në atë tryezë me ta. Mendoj se vullneti i mirë ekziston tek të dyja palët, për të ardhur deri tek zgjidhja dhe të arrihet më shumë qëndrueshmëri dhe ardhmëri për tërë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve të pezulluara me heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vuri në nëntor të vitit të kaluar në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Prishtina kërkon që bisedimet të mos kushtëzohen, por udhëheqësit e Kosovës u përplasën në distancë sërish ditëve të fundit rreth kësaj çështjeje.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se qëndrimet jo unike të udhëheqësve të Kosovës rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Beogradin, e kanë bërë Serbinë më të fortë dhe i kanë dhënë mundësi të kushtëzojë kthimin në tryezën e bisedimeve.

Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj intervistës së kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, dhënë Zërit të Amerikës, në të cilën ai tha se ka dallime konceptuale me kryeministrin Haradinaj rreth tarifave dhe bisedimeve.