Një analist me përvojë i Ballkanit thotë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të mos ta ketë elementin territorit. James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, në një intervistë për Zërin e Amerikës kritikoi kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi siç tha ai bllokuan një marrëveshje të mundshme pa pasur një alternativë. Në bisedën me kolegen Keida Kostreci, zoti Hooper tha se situata e krijuar kërcënon stabilitetin dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë vullnetin të angazhohen por duan të shohin perspektivën për një zgjidhje.
Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, procesi i negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur për një kohë të gjatë dhe një nismë e Gjermanisë dhe Francës për të ripërtërirë procesin dështoi. Çfarë ndodh më tej? Cila mendoni se është rrugëdalja?
James Hooper: Tani duhet të presim të shohim a do të ketë një zgjidhje, sepse ka tre alternativa mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse duan një marrëveshje, e vetmja mundësi është ajo e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Nuk besoj se ka asnjë shans për një marrëveshje graduale ose të pjesshme. Marrëveshja e zonjës (Catherine) Ashton kur ishte shefe e politikës së jashtme të BE-së, ishte e pjesshme dhe graduale dhe asnjëra nga palët nuk e zbatoi atë plotësisht. Shoqata e komunave serbe parashikohej nga marrëveshja dhe nuk u zbatua, nuk u pranua, u bë shumë e debatueshme në Kosovë, ku u pa si një mënyrë për Beogradin të ndërhynte në politikën e Kosovës. Unë e lexoj moszbatimin e marrëveshjes si fundin e perspektivës për ndonjë marrëveshje të pjesshme. Kjo është një nga realitetet e vështira që unë kam kuptuar nga negociatat e viteve të fundit, veçanërisht vitin e fundit dhe muajt e fundit. Presidentët Thaçi dhe Vuçiç po negocionin një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe arsyeja që ajo dështoi ishte në fakt jo se serbët dhe shqiptarët nuk mund të binin dakord, në fakt ishin shumë pranë marrëveshjes. Sigurisht duheshin sqaruar disa detaje por në përgjithësi, për konceptin e përgjithshëm kishin rënë dakord. Problemi ishte se populli i Kosovës nuk donte të pranonte një shkëmbim territori si pjesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Po ashtu as Gjermania, zonja Merkel nuk donte ta pranonte dhe kështu e bllokoi. Unë i kuptoj shumë mirë ndjeshmëritë që mund të kenë gjermanët për paprekshmërinë e kufijve dhe territorit, që vijnë nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë, por kjo nuk funkisonon në Ballkan, atje është ndryshe. …
Zëri i Amerikës: Çfarë nuk funksionon?
James Hooper: Nuk kishte kufi mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte një kufi i brendshëm që është zhvendosur dhe ndryshuar brenda Jugosllavisë, nuk ishte një kufi i jashtëm mes dy vendesh, kështuqë kufiri i jashtëm duhej të caktohej dhe për të duhet të arrihej marrëveshje. Sipas mendimit tim, suksesi që pati zoti Haradinaj për ta bllokuar këtë në Kosovë, përmes tarifave dhe suksesi që pati kancelarja Merkel – dhe mendoj që kundërshtimi i saj ishte më vendimtar sesa ai i zotit Haradinaj – për ta bllokuar, do të thotë se Evropa, Bashkimi Evropian, ose më saktë Gjermania nuk është e gatshme të pranojë këmbime territori, si çmim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë. Pra realiteti i parë i vështirë është se nuk ka më vend për marrëveshje të pjesshme, graduale. Së dyti, nëse marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, meqenëse nuk mund të ketë një të tillë të pjesshme. Për ta arritur atë – dhe kjo nuk është pranuar, megjithëse është pranuar nga Presidentët Thaçi dhe Vuçiç – duhet të ketë një këmbim territori. Ky është realiteti. Unë e kuptoj kur shqiptarët e Kosovës, paraqesin kërkesat e tyre maksimale dhe thonë se nuk duan ta pranojnë, por kjo do të thotë se nuk do të ketë marrëveshje dhe mendoj që ajo që bëri zonja Merkel që mendoj se ishte bërë me një koordinim, të paktën de facto, sepse duket se ka ngjashmëri mes veprimeve të tyre, mes bllokimit nga brenda të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse nga ana e zotit Haradinaj në Kosovë, dhe bllokimit në Berlin në nivelin evropian nga kancelarja Merkel. Përshtypja ime është që ata nuk i kuptojnë këto realitete. Dhe nëse unë nëse nuk ka vend për një marrëveshje të pjesshme dhe nuk duan të paguajnë çmimin e shkëmbimit të territoreve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, realiteti i tretë është që rrjedhimisht do të ketë dhunë dhe flas këtu mes Kosovës dhe Serbisë. Ato do të fillojnë të rrëshqasin gradualisht dhe papritur do të shpërthejë dhuna.
Sepse Serbia është një shoqëri shumë nacionaliste dhe siç po shohim edhe Kosova është shoqëri nacionaliste, po të kesh parasysh mbështetjen që pati zoti Haradinaj. Kur ke nacionalistë të fortë nga të dyja anët, mundësia për dhunë rritet në mënyrë të konsiderueshme, sepse ka më pak aftësi që njerëzit të ushtrojnë vetëpërmbajtje. Gjëja kryesore që unë kritikoj është se kancelarja Merkel dhe kryeministri Haradinaj, bllokuan një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa pasur një alternativë tjetër nga ana e tyre.
Zëri i Amerikës: Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe. Prishtina ngul këmbë se nuk do ta bëjë këtë derisa Serbia nuk ndryshon qasjen ndaj shtetësisë së Kosovës. Si mund të zgjidhet ky ngërç?
James Hooper: Duket se kryeministri Haradinaj do që Serbia të japë që në fillim të negociatave atë për të cilën duhet rënë dakord në fund. Ai e di që nuk ka asnjë shans që Serbia ta pranojë këtë. Kjo nuk do të ishte negociatë, do të ishte thjesht paraqitje e kërkesës maksimale (nga ana e Kosovës). Është një përpjekje për bllokim negociatash dhe për të penguar marrëveshjen. Çështja shtrohet se si t’i çosh përpara negociatat dhe të arrish një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që unë mendoj se do ta rriste konsiderueshëm sigurinë e Kosovës, në një botë që është bërë më e rrezikshme vitet e fundit.
Zëri i Amerikës: Në një intervistë për Zërin e Amerikës para disa kohësh ju thatë se çështja e tarifave i ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit. Nga ana tjetër, Presidenti Thaçi ka thënë se nuk mund të ketë negociata pa angazhimin e Shteteve të Bashkuara. Si mund të bashkëekzistojnë këto dy realitete?
James Hooper: Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të luajnë një rol shumë aktiv për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dhe mendoj se e ka bërë këtë. Ndihmës Sekretari (në detyrë) Reeker ishte në takimin e nivelit të lartë të Bratislavës dhe ka qenë shumë i angazhuar në proces dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të ishin plotësisht të angazhuara për të lehtësuar negociatat dhe për t’i dhënë fund këtij problemi. Kur nuk ka shpresë më për një marrëveshje të gjerë, apo për përparim, nuk është se Shtetet e Bashkuara e harrojnë Kosovën, por kjo çështje bie në listën e përparësivë, bëhet më pak e rëndësishme dhe qeveria amerikane i kushton më pak rëndësi Kosovës. Dhe Kosova kishte më shumë për të humbur se Serbia nuk kishte marrëdhënie të afërt me Shtetet e Bashkuara.
Zëri i Amerikës: Presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje dy vendeve që të arrijnë një marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur. A mendoni se ekziston ende mundësia për një marrëveshje deri në fund të vitit?
James Hooper: Jo. Sipas gjykimit tim nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse deri në fund të vitit 2019. Koha më e hershme që kjo mund realizohet është viti 2020. Jam shumë i shqetësuar se vdekja e kësaj marrëveshjeje specifike për të cilën zoti Vuçiç dhe zoti Thaçi kishin rënë dakord, shkaktuar nga kancelarja Merkel dhe kryeministri Haradinaj, asgjësoi perspektivën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Vështirësia tanë është nëse është e mundur që të ringjallet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që të shfaqet një alternativë që ta pranojnë të dyja palët. Vështirësia tani është që të mbahet gjallë koncepti i një marrëveshjeje të gjerë që të përfshijë shkëmbim territori. Realiteti për Kosovën është që nëse nuk ka një element territorial, nuk do të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dhe nuk besoj që në Kosovë kanë arritur në pikën që ta pranojnë një gjë të tillë.
Zëri i Amerikës: Të dy presidentët, Hashim Thaci dhe Aleksandër Vucic janë në pushtet për një kohë të gjatë dhe nuk arritën të sigurojnë një marrëveshje. Kur nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë deri tani, pse do të mendohej që tani mund të jenë në gjendje?
James Hooper: Unë mendoj se zoti Vuçiç dhe zoti Thaçi kanë arritur shumë. Ata kanë kapërcyer barrierat e komunimit mes Kosovës dhe Serbisë në nivelin zytar. Ata kanë kanalet e veta të komunikimit. Ata kanë qenë në shumë takime bashkë dhe ky nuk është sekret. Kanë pasur rast, të flasin, të kuptojnë njëri-tjetrin të shohin se ç’perspektivë ka pala tjetër, të shohin se çfarë u duhet të bëjnë për të realizuar një marrëveshje. Mendoj se ata kanë arritur mjaft mirëkuptim dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Ata nuk u mjaftuan me kaq. E përdorën këtë mirëkuptim për të arritur një marrëveshje me ndërmjetësimin e zonjës Ashton, dhe për të parandaluar shkallëzime, si edhe në përpjekje për marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Arsyeja që nuk e arritën ishte se Gjermania bllokoi zotin Vuçiç dhe zoti Haradinaj bllokoi zotin Thaçi. Mendoj se ishte një arritje e madhe dhe u bllokua nga BE-ja. Dhe kjo është e jashtëzakonshme. Kur të shkruhet historia e kësaj periudhe, njerëzit do të shohin se çfarë zhvillimi i jashtëzakonshëm ishte ky, që Bashkimi Evropian bllokoi një marrëveshje të tillë.