Bosnja e Hercegovina po shënon sot 24 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë e cila ishte shpallur atëbotë “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Më 9 korrik 1995, ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, urdhëroi pushtimin e Srebrenicës dhe më 11 korrik forcat serbe të drejtuara nga gjenerali serb, Ratko Mladiç e morën qytetin.

Për disa ditë me radhë forcat serbe vranë rreth 8 mijë veta, trupat e të cilëve u hodhën në varreza masive.

Edhe 24 vjet më pas vazhdon punë për të gjetur dhe identifikuar viktimat identifikimi i të cilave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre. Dhe çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore në Potoçari.

Sot në atë qendër varrosen 33 viktima.

Dy ish udhëheqësit e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladiç, janë dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë në luftën e Bosnjës, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.

E cilësuar si gjenocid nga Gjykata ndërkombëtare për krime lufte dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, masakra e Srebrenicës nuk cilësohet si e tillë nga serbët e Bosnjës dhe Serbia zyrtare. Në vitin 2015 Rusia i vuri veton një projekt-rezolute të OKB-së që e dënonte si akt gjenocidi masakrën në Srebrenicë.

Organizata “Gratë në të zeza” në Beograd mbajti të enjten një veprimtari duke u bërë thirrje autoriteteve serbe që ta pranojnë gjenocidin në Srebrenicë.

BE: Nuk ka vend për mohuesit e krimeve

Shefja në largim e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe komisionari për zgjerim, Johannes Hahn, në një deklaratë të përbashkët thanë se “sot përkujtojmë gjenocidin në Srebrenicë…një nga momentet më të errëta të njerëzimit në historinë bashkëkohore evropiane”.

Në deklaratë thuhet mes tjerash se duhet të marrë fund “mosndëshkeshmëria”

“Nuk ka vend për retorikë nxitëse, për mohimin, revizionizmin apo glorifikimin e kriminelëve të luftës. Përpjekjet për të rishkruar historinë në Bosnje dhe Hercegovinë apo kudo, janë të papranueshme…”, thuhet mes tjerash në deklaratë.

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, shprehu keqardhjen e Parlamentit Evropian që “që disa politikanë në Serbi vazhdojnë të mohojnë që masakra në Srebrenicë, ishte gjenocid”.