Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, do të marrë pjesë në një darkë që do të mbahet sonte në Sarajevë, në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Të martën, Meta do të marrë pjesë edhe në takimin në nivel presidentësh në Jahorinë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë këshilltari i Metës për rajon dhe diasporë, ambasadori Flamur Gashi.
Më herët, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se Shqipëria, në shenjë solidariteti me Kosovën, e ka anuluar pjesëmarrjen në samit, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të organizatorit me Kosovën.
Cakaj nuk mori pjesë në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm, me të cilin u hap samiti dyditor.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pavarësisht “gatishmërisë dhe vullnetit” për të marrë pjesë në samit, ai ka vendosur të mos shkojë në Sarajevë, sepse, siç ka thënë në një postim në Twitter, “trajtimi dhe deklaratat nga Presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës nuk janë në favor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave dhe parimeve të BE-së”.