“Derisa tarifa që u ka vënë Prishtina mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, mbetet në fuqi, nuk shoh kushte për thirrjen e dialogut në nivel të lartë”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Taksa, e cila shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut, “është për keqardhje”, tha Mogherini, pasi, sipas saj, elementet për marrëveshje midis palëve ekzistojnë. Mogherini, e cila së shpejti e përfundon mandatin, foli nga Poznani i Polonisë, ku u mbajt një samit për Ballkanin Perëndimor.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Mogherini, çfarë keni arritur të nxirrni nga takimi në Poznan?
Federica Mogherini: Para së gjithash, zotime të përsëritura nga të gjithë anëtarët e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Këto kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, me investimet, lidhjet digjitale, transportin. Ekzistojnë, para së gjithash, shumë investime ekonomike, por edhe vullnet politik për projekte konkrete, në të mirë të njerëzve. Por, më lejoni të nënvizoj se kjo nuk është zëvendësim për zgjerimin. Vendet e rajonit duhet të dinë se e ardhmja e tyre mund të jetë në Bashkimin Evropian, nëse procesi shkon mirë.
Radio Evropa e Lirë: Por, a është kjo e besueshme? Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vazhdimisht thotë se nuk mund të ketë zgjerim…
Federica Mogherini: Mendoj se duhet të jetë e besueshme. Nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk marrin vendim, sidomos për hapjen e negociatave (të anëtarësimit) me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor, mendoj se do të ishte gabim i madh.
Radio Evropa e Lirë: Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është një proces që është zhvilluar gjatë mandatit tuaj si përfaqësuese e Lartë e BE-së. Ju gjithmonë keni thënë se marrëveshja midis palëve është afër. A mund të arrihet përpara se ju ta përfundoni mandatin?
Federica Mogherini: Unë vazhdoj të besoj se marrëveshja është e mundshme dhe është afër. Besoj se dy palët e kuptojnë se është në favor të njerëzve të tyre të arrijnë marrëveshje të plotë, për normalizim të plotë (të marrëdhënieve), ligjërisht të obligueshme, që mbulon të gjitha aspektet e vështirësive që janë ende në tryezë.
Por, nëse më pyesni se a ka gjasa të arrihet në tre apo katër muajt e ardhshëm, unë ju them se derisa tarifa që u ka vënë Prishtina mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina mbetet në fuqi, nuk shoh kushte për thirrjen e dialogut në nivel të lartë. Unë besoj se kjo është për keqardhje, sepse unë vërtet kam parë se elementet për marrëveshje për normalizim, ligjërisht të obligueshme, ekzistojnë.
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë këtu (në Poznan). Ai është shumë i përfshirë në këtë tarifë. A keni biseduar me të? A shihni ndonjë mënyrë për heqjen e kësaj tarife?
Federica Mogherini: Jo vetëm unë, por edhe udhëheqës të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nga pjesë të tjera të botës, e kanë diskutuar këtë me të në shtatë muajt e fundit. Ne nuk kemi parë ndonjë lëvizje. Mendoj se është në interesin e njerëzve të Kosovës dhe të njerëzve të rajonit që ta tërheqin ose ta pezullojnë këtë tarifë dhe t’i kthehen tryezës së bisedimeve, sepse status quo-ja nuk është e qëndrueshme. E ardhmja e Kosovës në rajon dhe drejt BE-së lidhet me dialogun.
Radio Evropa e Lirë: Kemi pasur takimin në Berlin, pastaj takimi në Paris nuk është zhvilluar… A jeni ende e ngarkuar me këtë çështje?
Federica Mogherini: Jam gjithmonë e lumtur kur shtetet anëtare i mobilizojnë energjitë e tyre – në nivel kancelari dhe presidenti – për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Gjërat janë më të komplikuara seç duken. Dhe, kjo ndoshta është arsyeja përse është shtyrë takimi i Parisit. Unë jam ende e ngarkuar dhe përfaqësuesi i ardhshëm i Lartë i BE-së, do të jetë i ngarkuar. Ka një arsye të thjeshtë për këtë: Serbia dhe Kosova po negociojnë në këtë proces për shkak të perspektivës së tyre në BE.
Dhe, kjo është në duart e BE-së dhe të askujt tjetër; jo në duart e partnerëve tanë, jo në duart e një vendi të vetëm anëtar. Kjo lidhet me perspektivën në BE. Ne punojmë nga afër me të gjitha vendet anëtare, me 28, jo vetëm dy, dhe po ashtu me partnerët tanë – nga Shtetet e Bashkuara deri te të tjerët. Në fund të fundit, përfaqësuesi i Lartë e ndërmjetëson këtë dialog në emër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që e ka mandatar përfaqësuesin e Lartë të BE-së për ta bërë një gjë të tillë.
Radio Evropa e Lirë: Ju i përmendët Shtetet e Bashkuara. A mund të arrihet marrëveshja pa SHBA-në? A duhet SHBA-ja të përfshihet më shumë?
Federica Mogherini: Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë mbështetëse. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me to, i kemi informuar dhe kemi marrë mbështetje nga to. Kjo është një nga çështjet ku bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe pozitiv. Por, unë gjithmonë kam mbajtur një kanal të hapur me të tjerët. Mund të përmend Moskën apo Kinën – anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sepse e dimë se çdo lloj marrëveshjeje, që mund ta arrijmë në një moment të caktuar, do të duhet të mbështetet jo vetëm nga vendet anëtare të BE-së, jo vetëm nga rajoni, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar, në përgjithësi.
Radio Evropa e Lirë: Propozimi, që duket se ka mbështetje nga ju, për ndryshimin e kufijve, a është ende në tryezë?
Federica Mogherini: Roli i lehtësuesit është të lehtësojë dialogun. Idetë, përmbajtja, propozimet që dalin në tryezë, nuk i përkasin përfaqësuesit të Lartë, lehtësuesit, por vijnë nga palët. Nuk ka pasur kurrë diskutime për shkëmbim territoresh, siç është thënë, apo për aranzhime kufijsh. Është e qartë se marrëveshja që do t’i mbulonte të gjitha aspektet dhe do të sillte normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, do të duhej të kishte edhe pajtimin për kufijtë. Unë i kujtoj të gjithë se kjo për Kushtetutën e Serbisë nuk ekziston.
Dialogu përfshin diskutimet për njohjen e kufijve. Kjo është arsyeja përse çështja ka dalë në tryezë. Por, nuk ka pasur propozime nga ana ime. Roli im ka qenë gjithmonë të mbledh palët, t’i ndërmjetësoj dallimet në qëndrime. Për mua, dhe besoj për pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar, për Bashkimin Evropian, për rajonin, cilado marrëveshje që do të jetë e qëndrueshme për të dyja palët, për popullsinë e të dyja palëve dhe do të jetë në të mirë të të gjithë rajonit, duke respektuar plotësisht të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e multietnicitetit – që është vlerë themelore e BE-së – do të funksionojë.
Radio Evropa e Lirë: Pasardhës i juaji me gjasë do të jetë spanjolli Josep Borrell. Spanja nuk e njeh Kosovën. A është ky problem për dialogun e ardhshëm?
Federica Mogherini: Përfaqësuesi i Lartë përfaqëson Bashkimin Evropian dhe pozicionin e Bashkimit Evropian. Josep Borrell është i mençur, me përvojë dhe ka gjithë mbështetjen time. Jam e sigurt se ai do të jetë në gjendje ta menaxhojë këtë proces të ndërmjetësuar, me zgjuarsi, me vendosmëri dhe me respektimin e pozicioneve të BE-së.