Ballina Aktualitet Turqia dhe Kina forcojnë lidhjet ekonomike

Turqia dhe Kina forcojnë lidhjet ekonomike

Presidenti turk Erdogan viziton Kinën në përpjekje për të rritur bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, megjithë diferencat politike. Turqia do të zgjerojë marrëdhëniet edhe me Lindjen, jo vetëm me Perëndimin.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mbërrin më 2 korrik në Kinë për t’u takuar me kolegun kinez, Xi Jinping. Të dy vendet kërkojnë të ngrenë marrëdhënie ekonomike dhe politike në një kohë kur marrëdhëniet e tyre me SHBA, janë në nivel të ulët.

Turqia është duke u distancuar nga SHBA dhe aleatët perëndimorë për shkak të diferencave për çështjen e Sirisë, planeve të Ankarasë për blerjen e sistemit rus S- 400 të raketave dhe dobësimit të demokracisë pas përpjekjeve të dështuara për grusht shteti, të qershorit 2016.

Prishja e marrëdhënieve ka ushqyer spekullimet e disa vëzhguesve, sipas të cilave Turqia, vend anëtar i NATO-s mund të jetë duke bërë ribalancimin e marrëdhënieve strategjike, duke u larguar nga Perëndimi dhe afruar me Lindjen, jo vetëm sepse Erdogani ka sugjeruar që Turqia t’i bashkohet Organizatës së Kooperimit të Shangait, një organ i sigurisë rajonale i përbërë nga Kina, Rusia dhe katër vende të Azisë Qendrore.

Ndërkohë, mosmarrëveshjet e vazhdueshme tregëtare midis Kinës dhe SHBA zhvillohen në një kohë kur dy ekonomitë më të mëdha të botës ndodhen në luftë gjeopolitike për pushtet, në përpjekje për të vendosur mbi rendin e ardhshëm botëror.

Erdogani ka vizituar Kinën tetë herë që prej 2012

“Turqia ka marrëdhënie shumë të thella dhe reciproke me Perëndimin”

Sidoqoftë, takimi i tetë i Erdoganit me Xi-në që nga viti 2012, ka më shumë të bëjë me marrëdhëniet ekonomike dhe zgjerimin e marrëdhënieve edhe në fusha të tjera, dhe nuk është pjesë e zhvendosjes strategjike drejt Lindjes, thonë ekspertët.

“Marrëdhëniet e Turqisë me Kinën nuk mund të zëvendësojnë aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara ose marrëdhëniet me Bashkimin Europian,” thotë Altay Atli, profesor në Universitetin Koc në Stamboll, i specializuar në marrëdhëniet turko- aziatike. “Turqia ka marrëdhënie shumë të thella dhe reciproke me Perëndimin.”

Ai shton se politika e jashtme e Ankarasë synon ta kthejë Turqinë në një aktor të aftë të zgjerojë marrëdhëniet me të gjitha vendet, jo si gjatë Luftës së Ftohtë kur ishte e lidhur vetëm me bllokun perëndimor.

Kadir Temiz, profesor në Universitetin Sehir të Stambollit, thotë se megjithëse Kina është duke u kthyer në një vend të rëndësishëm për Turqinë, baza e marrëdhënieve ka të bëjë me interesin e përbashkët për zhvillimin e lidhjeve ekonomike. “Diferencat më të mëdha midis tyre janë politike dhe gjeopolitike,” thotë ai. “Këto diferenca politike dhe gjeopolitike mund të kthehen në të ardhmen në prioritare nëse rritet varësia ekonomike”.

Një nga fushat e divergjencave midis Ankarasë dhe Pekinit është lufta civile në Siri, ku Turqia ka mbështetur opozitën dhe Kina ka mbështetur ekonomikisht dhe politikisht regjimin në pushtet dhe ndërhyrjen ushtarake ruse.

Belt and Road

Tregtia bilaterale Kinë -Turqi arriti 23 miliardë dollarë në vitin 2018, sipas Zyrës së Statistikave të Turqisë, duke e kthyer Kinën në partnerin e tretë më të madh tregtar. Marrëdhëniet tregtare janë karakterizuar nga mungesë e madhe balancimi tregtar, me një nivel 18 miliardë dollarë në favor të Kinës, gjë që Turqia është duke u munduar ta zbusë duke ekspanduar eksportet dhe tërhequr investimet kineze, në një kohë që ekonomia turke është në rënie.

Pozicioni i Turqisë, në kryqëzimin e rrugëve midis Lindjes së Mesme, Kaukazit jugor dhe Mesdheut Lindor e Europës, është për Kinën shumë i rëndësishëm në iniciativën Beld and Road, të Xi-së dhe në përpjekjet e Kinës për të zgjeruar ndikimin në nivel global si kundërpërgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara

“Pozicioni i Turqisë në Iniciativën Beld and Road ka potencialin të vendosë mbi trajektoren e ardhshme të politikës së Pekinit dhe synimit për të lidhur Kinën me Europën,” thotë Temiz.

Uashingtoni dhe aleatët europianë kanë paralajmëruar se planet e Kinës për të financuar dhe ndërtuar infrastrukturë në gjithë botën mund të çojë në çarkun e borxheve, duke krijuar varësi nga Pekini për fitimet e tij strategjike.

Turqia e sheh me sy të mirë iniciativën kineze Belt and Road, duke e konsideruar si shtesë të iniciativës së vet “Middle Corridor”, për krijimin e rrjeteve të rrugëve dhe hekurudhabe përgjatë Rrugës së Mëndafshit nga Turqia nëpër Kaukaz dhe Azia Qendore deri në Kinë.

Gjendje e pasigurt e ujgurëve në Turqi

Mosmarrëveshje për ujgurët

Erdogani, i cili e akuzoi Pekinin më 2009 për kryerjen e “një lloj genocidi” kundër ujgurëve, ka qëndruar relativisht i heshtur vitet e fundit, kur Kina ka grumbulluar rreth një milionë vetë kryesisht myslimanë, grupe etnike turke në provincën perëndimore, Xinjiang.

Gjendja e vështirë e kushërinjve turkë etnikë ka nxitur shqetësimin në qarqet fetare nacionaliste dhe diasporën ujgure në Turqi.

Zyrtarët turk e quajtën këtë gjendje në muajin shkurt “turp për njerëzimin” dhe “politikë sistematike asimilimi” kundër ujgurëve. Që nga ajo kohë Turqia ka ndenjur relativisht e heshtur.

Kina thotë se “kampet e riedukimit” kanë si synim të luftojnë radikalizmin islamik dhe terrorizmin. Disa mijëra xhihadistë ujgurë mendohet të kenë shkuar nëpërmjet Turqisë për t’iu bashkuar grupeve militante në Siri.

Pekini thotë se xhihadistët ujgurë të trajnuar nga Siria kanë kryer sulme në perëndim të Kinës dhe shqetësohet se luftëtarë të tjerë do të kthehen për të luftuar. Në çështjen e ujgurëve, Ankaraja kërkon të mos e zemërojë Kinën në një kohë kur ekonomia e saj është e dobësuar. Në të njëjtën kohë, Kina ka frikë se Erdogan, një figurë shumë popullore në botën myslimane, mund të nxisë ndjenjat anti-kineze nëse do të ngrinte zërin për trajtimin e ujgurëve.