Ballina ED/OP PEK-u, parti e defave dhe figurave të ricikluara politike! – Shkruan: Florim...

PEK-u, parti e defave dhe figurave të ricikluara politike! – Shkruan: Florim Zeqa

Përderisa në vendet e zhvilluara e demokratike, një person me të kaluar të errët apo nën akuza për vepra penale, nuk i lejohet as hapja e një biznesi privat, paradoksalisht në Kosovë i lejohet themelimi i subjektit politik!

Një javë para se të themelohet Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK), u bë promovimi i saj me defa në emirionin “KOJSHIA SHOW”, me ç’rast me defa iu këndua Milaimit si një shpëtimtar i ri për Kosovën, këtij milioneri të “varfër” apo gazetari të pasur në Kosovë.

“Pasurimi” i skenës politike të Kosovës edhe më një parti e re, të re nga emri por jo edhe nga përmbajtja, është vazhdim i “Status Quos” së gënjeshtrave dhe mashtrimeve për qytetarët e vendit.

PEK, me bashkëthemelues deputetin Milaim Zeka dhe Hysen Gecaj, i pari figurë sa e njohur, po aq i konsumuar dhe kontravers, i dyti, ish anëtarë i FSK-së, por anonim për qytetarët e vendit do të provojnë kalimin e pragut zgjedhor.

PEK-u, e paraqitur si frymë e re nga themeluesi i saj Milaim Zeka, jo vetëm që nuk paraqet frymë të re, është vazhdimësi e ngulfatjes së skenës politike me figura të vjetra e të konsumuara politike për interesa personale.

Premtimet e Milaim Zekës, përveqse fontanë dëshirash, janë përseritje e premtimeve që i kemi dëgjuar tani e 20 vjet në fushatat zgjedhore, pra janë mashtrim i radhës për popullin dhe asgjë më shumë.

E veçanta e mashtrimeve të Milaim Zekës janë thirrjet e tij në emrin e mërgimtarëve dhe në rend e ligj!

Deklarimet e një jave më parë në “KOJSHIA SHOW”, për pasurimin enorm si gazetarë në mërgim në periudhën 1988-89 në Suedi, ku orën e punës Milaimi e “kishte pas në vlerë prej 1000 eruro (340 korona norvegjeze), më saktësisht në vitin 1988, vetëm për një ditë pune me Berit Backer (antropologe e njohur botërore) i kishte marrë në vlerë prej 5000 euro”.

Rrëfimi i Milaim Zekës për prejardhjen e pasurisë si gazetarë në Norvegji, janë dëshmi që lideri i PEK-ut për të rrëmbyer zemrat e mërgimtarëve, fillimisht duhet ta deklarojë pasurinë e tij në shtetin norvegjez dhe pasurinë e krijuar nga 10 filma “botërorë”!

Pas deklarimit të pasurisë në shtetin norvegjez, Milaimi duhet të deklarojë me fakte e jo më fjalë prejardhjen e pasurisë në dhjetëvjetshin e fundit në Kosovë, përkatësisht blerjen e 6 banesave të deklaruara në AKK.

Nuk mjafton vetëm thirrja për rend e ligj, kur vet pasurohesh në mënyrë të jashtëligjshme!

Si do t’i besojnë qytetarët e vendit një gazetari milionerë, kur në Kosovën e sotme gazetarët përballen me ekzistencën dhe varfërinë ekstreme, shkaku i të ardhurave të ulëta.

Si do t’i besojnë Milaim Zekës zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së për nënshkrimin e një marrëveshje për sistemin e drejtësisë, kur ai nuk e ka bërë të çartë prejardhjen e pasurisë së tij!

Nuk ka nevojë t’na tregojë sot Milaimi se mërgimtarët janë shpëtimtarët e Kosovës, as t’na tregojë se kush do të udhëtojë nesër me makinë të shtetit e kush jo!

Mjafton që Milaim Zeka fillimisht duhet t’iu tregojë qytetarëve të vendit, arsyet e prishjes së raporteve me ish shefat e tij, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Fatmir Limajn, nga të cilët dhe prej të cilëve u faktorizua dhe u pasurua në Kosovë e jo me paratë e shtetit norvegjez të viteve 1988/89 siq justifikohet ish shërbëtori dhe njeriu besnik i liderëve të krahut të luftës, tani lideri i ri PEK-ut, i ndjekuri penalsiht nga drejtësia vendore.

Ndryshimi për Kosovën nuk vjen me parti të defave dhe as me figura të ricikluara politike, por me njerëz të rinjë dhe entuziast, të pastër e të guximshëm, intelektual te ndritur të pa korruptuar që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e partive apo grupeve të inkriminuara politike.

29.06.2019